Asterisku (*) i përjetshëm i Kosovës

Prej asteriskëve (yjeve) dhe shënimeve shpjeguese e deri tek shkronjat e vogla nëpër tabela rezultatesh sportive – lufta e Kosovës për të qenë Kosovë po vazhdon. Shkruan: Craig Turp-Balazs Iniciativa e Komunitetit Politik Evropian (EPC) javën e kaluar mblodhi së bashku presidentët dhe kryeministrat e 44 vendeve në kryeqytetin çek, Pragë, për një takim jozyrtar…

Lajme

12/10/2022 09:17

Prej asteriskëve (yjeve) dhe shënimeve shpjeguese e deri tek shkronjat e vogla nëpër tabela rezultatesh sportive – lufta e Kosovës për të qenë Kosovë po vazhdon.

Shkruan: Craig Turp-Balazs

Iniciativa e Komunitetit Politik Evropian (EPC) javën e kaluar mblodhi së bashku presidentët dhe kryeministrat e 44 vendeve në kryeqytetin çek, Pragë, për një takim jozyrtar që – nëse jo diçka tjetër – dukej se qetësonte frikën që ishte krijuar në dhomën e përjetshme e pritjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, një nga vendet që fillimisht kishte frikë se EPC mund të ishte vetëm formë e sjellshme për t’i mbajtur kandidatët dhe kandidatët potencialë për anëtarësim jashtë bllokut europian, u tha gazetarëve pas takimit se ajo ishte “siguruar” nga Emmanuel Macron, presidenti francez, se EPC “nuk ishte zëvendësues i procesit të integrimit evropian për Ballkanin Perëndimor”.

Ajo pa dyshim do të shprehej më pak e emocionuar, nga fakti që emrit të vendit të saj iu vendos edhe një herë një yll dhe shpjegimi i mëposhtëm në njoftimet zyrtare të Këshillit Evropian për takimin, siç është në të gjitha komunikimet e BE-së:

*Ky përcaktim është pa paragjykim për qëndrimet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

BE-ja e konsideron yllin e nevojshëm sepse, ndonëse 22 nga 27 anëtarët e saj e njohin pavarësinë e Kosovës, pesë prej tyre nuk e njohin atë (Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja).

Arsyet e tyre nuk kanë të bëjnë me vetë Kosovën, as simpatinë për Serbinë (nga e cila Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008), por gjithçka ka të bëjë me politikën e brendshme: katër prej tyre kanë frikë se njohja e Kosovës do të inkurajonte lëvizjet separatiste (të vërteta apo të imagjinuara) në vend, ndërkaq Greqia abstenon në mbështetje të Qipros.

Si i tillë, qëndrimi i pesë shteteve refuzuese nuk ka gjasa të ndryshojë pa një marrëveshje formale midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila aktualisht duket të jetë mjaft larg.

Megjithatë, BE-ja mbetet plotësisht e angazhuar me Kosovën dhe zyra e saj përfaqësuese në Kosovë luan një rol kyç në zbatimin e agjendës së BE-së në territor, veçanërisht në promovimin e normave evropiane. Zyra siguron dialog të përhershëm politik dhe teknik ndërmjet Kosovës dhe institucioneve të BE-së.

BE-ja është gjithashtu aktive në Kosovë përmes Përfaqësuesit të saj Special (EUSR), i cili ofron këshilla dhe mbështetje për Qeverinë e Kosovës, koordinon praninë e BE-së dhe promovon të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.

Përveç kësaj, misioni i Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ofron mbështetje për institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, multietnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.

BE-ja është gjithashtu e pranishme përmes ambasadave dhe zyrave ndërlidhëse të vendeve anëtare. Dy nga shtetet refuzuese të BE-së, Greqia dhe Sllovakia, kanë zyra ndërlidhëse në Prishtinë, ndërsa Rumania ka punuar me shtetet e tjera anëtare të BE-së për çështje praktike që lidhen me zhvillimin e Kosovës dhe integrimin në BE. Ajo ka qenë gjithashtu një nga kontribuesit kryesorë në misionet ndërkombëtare në Kosovë, si EULEX-i dhe KFOR-i i udhëhequr nga NATO, i cili ka një mandat nga OKB-ja për të ndërhyrë nëse integriteti territorial i Kosovës kërcënohet.

Të luajturit (futboll) politikë

Rumania, megjithatë tani e gjen veten në një dilemë të ngjashme me atë që preku Spanjën vitin e kaluar: kombëtarja e saj e futbollit është në të njëjtin grup me Kosovën për kualifikueset për Kampionatin Evropian 2024.

Kur Spanja duhej të priste Kosovën në Sevillë në mars të vitit 2021, ekzistonin mjaft paqartësi para ndeshjes nëse Federata Spanjolle e Futbollit do të valonte apo jo flamurin e Kosovës apo do të luante himnin kombëtar të vendit.

Në fund, ndodhi – edhe pse vetëm pas presionit nga organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA.

Televizioni spanjoll megjithatë përdori shkronjën e vogël ‘kos’ në tabelën e rezultateve, me emrin e vetë Spanjës që shkurtohet si ‘ESP’, pra me shkronja të mëdha.

Se si do t’i qaset Rumania çështjes, mbetet për t’u parë. Ish-ministri i Jashtëm romun, Theodor Meleșcanu, i ka sugjeruar tashmë Rumanisë “të gjejë një zgjidhje” që supozohet se përfshin të mos e luajë lojën (një taktikë që pothuajse me siguri do të çonte në fitoren 3-0 të Kosovës).

Nuk ka gjasa të arrihet deri te kjo.

Vitin e kaluar, Rumania priti pa asnjë problem ekipin e Kosovës në hendboll. Madje, televizioni rumun shkroi shkronjën “KOS”, dhe në sy ra mungesa e yllit.

Për më tepër, ndonëse organet drejtuese sportive i mbajnë qëllimisht disa vende të ndara kur bëjnë shortet e tyre (si Gjibraltari dhe Spanja, Armenia dhe Azerbajxhani, Qiproja dhe Turqia, si dhe Kosova dhe Serbia), as Rumania dhe as ndonjë nga skuadrat e vështira të BE-së nuk kanë kërkuar ndonjëherë një përjashtim nga loja me Kosovën.

Autori është redaktor i mediumit Emerging Europe, me bazë në Londër të Britanisë së Madhe. Shkrimi editorial është përkthyer nga Lajmi.net, teksa qëndrimet e autorit nuk përkojnë medoemos me politikat editoriale të mediumit.