Asnjë shqiptar nuk pranohet në Policinë e Serbisë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, KKSH: Po rikthehet diskriminimi i vitit 2001
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka reaguar pasi në Policinë Serbe në Preshevë e Bujanoc, nuk është pranuar asnjë shqiptar. KKSH ka thënë se ky është një sinjal alarmant që tregon vazhdimin e diskriminimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, përkundër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe obligimeve të shtetit. Sipas tyre, nga viti 2002 deri në 2004 u arrit…

Lajme
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka reaguar pasi në Policinë Serbe në Preshevë e Bujanoc, nuk është pranuar asnjë shqiptar.
KKSH ka thënë se ky është një sinjal alarmant që tregon vazhdimin e diskriminimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, përkundër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe obligimeve të shtetit.
Sipas tyre, nga viti 2002 deri në 2004 u arrit të përfshihen një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në polici. Por që nga ajo kohë, dhe për më shumë se një dekadë – nuk është pranuar asnjë shqiptar i ri në stacionet policore në Luginë.
“Sipas të dhënave që disponon Këshilli Kombëtar Shqiptar, nëse ky trend vazhdon, me daljen në pension të kuadrove aktuale dhe me mospranimin e policëve të rinj, shumë shpejt do të kthehemi në gjendjen e vitit 2001, kur shqiptarët ishin plotësisht të përjashtuar nga policia dhe institucionet e tjera shtetërore. Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ngritur vazhdimisht këtë shqetësim, duke avokuar si në instancat shtetërore, ashtu edhe tek faktori ndërkombëtar, për rikthimin e programit të policisë multietnike, sepse është e vetmja rrugë për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe proporcional, ashtu siç e parashikon kushtetuta, konventat ndërkombëtare dhe vetë Marrëveshja e Konçulit dhe Plani 7 pikësh”, thuhet në reagimin e KKSH-së.
Këshilli Kombëtar Shqiptar mes tjerash ka thënë se mospërfshirja e shqiptarëve në Polici përveç se është padrejtësi është edhe shkelje e marrëveshjeve dhe rrezik për bashkëjetesën. /Lajmi.net/
Reagimi i plotë në Facebook: