Asnjë dorëheqje| Kuvendi themelon komision hetimor teksa pezullohen kryeprokurorja e Pejës e prokurorja në rastin e Zekajt
Kuvendi i Kosovës e ka themeluar një komision parlamentar për të hetuar nëse kishte mungesë veprimesh nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt ditë më parë, dhe për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje. Ndërsa, Këshilli Prokurorial (KPK) i pezulloi nga detyra kryeprokuroren e Pejës dhe…
Lajme
Kuvendi i Kosovës e ka themeluar një komision parlamentar për të hetuar nëse kishte mungesë veprimesh nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt ditë më parë, dhe për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje. Ndërsa, Këshilli Prokurorial (KPK) i pezulloi nga detyra kryeprokuroren e Pejës dhe prokuroren në rastin e Zekajt.
Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor, ndërsa bashkëshorti i saj po mbahej në ndalim për kanosje ndaj saj. Vrasja e saj, e cila ndodhi pavarësisht thirrjeve të saj të vazhdueshme për mbrojtje, ka nxitur zemërim të madh në vend.
Në një seancë të enjten, Kuvendi e miratoi me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim komisionin hetimor me 11 anëtarë, i cili ka për detyrë të zbardhë lëshimet e dyshuara zinxhirore të institucioneve në rastin e 49-vjeçares nga Vitomirica e Pejës.
Komisioni detyrohet që ta përpilojë një raport përfundimtar me gjetjet e hetimit dhe t’ia paraqesë atë Kuvendin brenda një afati prej gjashtë muajve nga data e themelimit. Ky komision buron nga një rezolutë që Kuvendi e miratoi të hënën për hetimin e vrasjes së Zekajt dhe parandalimin e dhunës ndaj grave.
Një grua me gojën e ngjyrosur me të kuqe merr pjesë në marshin për të kërkuar përgjegjësi institucionale për Arlinda Zekajn.
Arlinda Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë duke raportuar dhunë në familje, përfshirë edhe disa orë para se të vritej.
Në këtë fotografi protestuesit mbajnë imazhe të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, e ilustruar me sëpatë në dorë, si dhe të zyrtarëve të tjerë të drejtësisë.
Tetë gra janë vrarë deri tanië këtë vit në Kosovë. Për vrasjen e tyre të dyshuar janë bashkëshortët apo anëtarë të tjerë të familjes.
Protestuesit e hoqën me forcë laurën në hyrje të oborrit në ndërtesën ku ndodhet ministria e Drejtësisë.
Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, organizatore e marshit, në fjalimin e saj para ndërtesës së Qeverisë tha se protestat do të vazhdojnë çdo ditë derisa të plotësohen kërkesat për shkarkimin e Gërvallës dhe Sveçlës.
Të paktën 67 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010. Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve ishin partnerët e tyre.
Autoritetet janë kritikuar se nuk po bëjnë mjaftueshëm për ta parandaluar dhunën dhe vrasjen e grave.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren e rastit të Zekajt.
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Vuçetaj u suspendua nga KPK-ja, me rekomandim të tij.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së tw enjten u suspendua nga detyra edhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferi, e cila ishte prokurore e rastit të Zekajt dhe njëherësh koordinatore për raste të dhunës në familje.
KPK-ja tha më vonë në një njoftim për media se ka themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit të Zekajt.
Si ndaj Vuçetajt, ashtu edhe ndaj Nallbani Gacaferit, KPK vendosi që të iniciohen procedura disiplinore dhe për këtë u themelua panel hetimor, thuhet në njoftim.
Duke komentuar vendimin e KPK-së, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se për herë të parë në dekadën e fundit, ky këshill i tha “jo kulturës së pandëshkueshmërisë”.
“Ky vendim është llogaridhënie, është mesazh ndaj secilit se jeta e njeriut është e shenjtë, të drejtat e grave nuk janë dekor, pozita zyrtare nuk janë privilegj, por duhet të jetë shërbim, përkushtim dhe përgjegjësi”, shkroi ai në Facebook.
Miftaraj tha se shembullin e KPK-së për llogaridhënie duhet ta ndjekin edhe institucionet e tjera, përfshirë policinë, gjyqësorin, shërbimet sociale, Komuna e Pejës, Ministria e Drejtësisë dhe ajo për Punë të Brendshme.
Thirrjet e Zekajt për ndihmë
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit dhe dorasi i dyshuar është kunati i saj, i cili është arrestuar dhe gjendet në paraburgim.
Ajo kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Dy ditë para vrasjes, ajo i kishte shkruar një letër kryeprokurores Vuçetaj, duke u ankuar për mënyrën e trajtimit të rastit të saj dhe moszbatimit të vendimit gjyqësor.
Zekaj i ishte drejtuar autoriteteve duke thënë se qysh në dhjetor të vitit të kaluar, bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.
Më vonë ishte lëshuar një urdhër urdhër mbrojtjeje dhe kishin vendosur që përkohësisht kujdestaria e fëmijës së mitur të çiftit t’i kalonte Zekajt.
Autoritetet po ashtu kishin urdhëruar që bashkëshorti të mos i afrohej, teksa kishin vendosur se ajo mund të qëndronte në shtëpinë e përbashkët të çiftit.
Pas vrasjes së saj, Prokuroria Themelore në Pejë tha se, prokurori kujdestar vlerësoi se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t’ia rrezikonte jetën. Ai e udhëzoi të qëndronte te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.
Në ditën e vrasjes, Arlinda Zekaj e bëri denoncimin e fundit për dhunë në familje. Bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, u ndalua për 48 orë, teksa ajo këmbënguli që në përputhje me vendimin gjyqësor të kthehej në shtëpinë e përbashkët.
E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e bashkëshortit, ajo e pranoi se siguria e saj mbetej e cenuar, por këmbënguli në të drejtat e saj.
Pak minuta pasi Policia e shoqëroi në shtëpi, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj.
Kunati i saj më pas u arratis, por u arrestua në Deçan në orët e vona të 27 tetorit dhe më pas gjykata i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji.
Arlinda Zekaj është gruaja e tetë që është vrarë gjatë këtij viti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar një raport nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme për këtë rast. Ai ka thënë se në rastin e Zekajt qartazi që ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.
Qindra protestues marshuan të mërkurën në Prishtinë për të kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Zekajt.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve ishin përgjegjësia institucionale, përfshirë dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.