ASK: Kostoja e ndërtimit në Kosovë shënon rritje

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e katërt të vitit 2025, duke shënuar rritje të vazhdueshme të kostove në sektorin e ndërtimit. Sipas të dhënave të ASK-së, Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë u rrit për 0,5% krahasuar me tremujorin e tretë…

Lajme

26/02/2026 14:39

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e katërt të vitit 2025, duke shënuar rritje të vazhdueshme të kostove në sektorin e ndërtimit.

Sipas të dhënave të ASK-së, Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë u rrit për 0,5% krahasuar me tremujorin e tretë të 2025-s. Rritje më të madhe kanë shënuar transporti (3,5%), pagat dhe kostot e tjera (1,2% secila), ndërsa materialet dhe energjia u rritën përkatësisht 0,3% dhe 0,2%. Ndërkohë, makineritë shënuan një rënie të lehtë prej 0,1%.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, Indeksi u rrit për 3,5%, me energjinë që regjistroi rritjen më të madhe (9,8%), ndjekur nga pagat (8,1%), kostot e tjera (5,3%), transporti (4,4%) dhe materialet (2,6%). Makineritë patën një ulje të lehtë prej 0,4%.

Mesatarja vjetore e IKN-së për vitin 2025 është 151,1, duke shënuar një rritje prej 4,4% krahasuar me vitin 2024.

Të dhënat tregojnë një tendencë të qëndrueshme rritjeje të kostos së ndërtimit, e ndikuar kryesisht nga energjia, pagat dhe shpenzimet për transport dhe materiale.