Ashpërsohen raportet Serbi-Hungari: Beogradi i dërgon notë proteste Budapestit

Serbia do t’i dërgojë një notë proteste Hungarisë për hedhjen e gaz lotësjellësit në territor të Serbisë, thuhet në një komunikatë të ministrisë së jashtme serbe.

Lajme

16/09/2015 19:13

Intervenimi i policisë hungareze ka ndodhur në pikën kufitare mes këtyre dy vendeve, Horgosh, duke penguar me dhunë depërtimin e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika për në territorin e këtij vendi.

“Serbia do t’i dërgojë Hungarisë një notë verbale, përmes së cilës u kërkohet organeve hungareze që të ndalojnë përsëritjen e ngjarjeve sikur ajo e sotmja, me ç’rast është hedhur edhe gazë lotësjellës në territorin tonë”, thuhet në këtë njoftim, transmeton lajmi.net.

Në këtë njoftim thuhet se dy ministrat e brendshëm të shteteve përkatëse janë në komunikim intensiv, duke u munduar të gjejnë një zgjidhje të situatës në Horgosh.

Ditë më parë, edhe Hungaria i kishte dërguar notë proteste Serbisë, për t’i parandaluar, siç është thënë, kalimin e emigrantëve të armatosur./lajmi.net/