As Merkeli s’e bind Haradinajn të heqë taksën ndaj Serbisë
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka folur pas takimit që ka pasur me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Lajme
Ai në një konferencë për media pas takimit ka thënë se koha dhe hapësira që i është dhënë Kosovës në këtë takim, ka dëshmuar se vendi është pjsë e agjendës së gjermanisë, raporton lajmi.net.
Sipas Haradinajt, pozicioni i Kosovës është më i fortë se ka qenë para takimit.
“Mendoj se koha që i është dhënë Kosovës, dëshmon se Kosova është pjesë e agjendës së këtushme dhe është respekt i madh nga Gjermania. Mund të themi se pozicioni i Kosovës është më i fortë se sa që ishte para një ore”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka folur edhe për liberalizimin e vizave për të cilin proces ka thënë se nuk është ende i përfunduar, pasi që Kosova ende nuk ka hyrë në Agjencën e Këshillit të Ministrave.
“Çështja e hyrjes në Agjendë nuk është e përmbyllur dhe na duhet shumë punë. Hyrja në agjendë është edhe tek afatet kohore, por tani duhet të na jepet përkrahja për të hyrë në vendimmarrje. Por duhet të punojmë intensivisht për të hyrë në këtë”, ka thënë ai.
Ai ka treguar edhe nëse taksa ka qenë temë diskutimi e këtij takimi, për të cilën ka thënë se është folur mirëpo se nuk ka pasur ndonjë epilog.
“Nuk jemi në një situatë të marrjes së një vendimi për pezullim, është diskutuar për këtë por nuk ka ndonjë epilog”, ka thënë ai.
Ndryshe, në një postim të mëhershëm në Facebook, Haradinaj ka thënë se në takimin me Merkel ka ritheksuar rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale me Serbinë, por vetëm në kufijtë aktual. /Lajmi.net/