Artistët kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Teatrot
Në vazhdën e angazhimeve, analizave dhe përpjekjeve për ndryshimin, zhvillimin dhe përmirësimin e gjendjes së teatrove në Kosovë, Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës ka konstatuar se gjendja e përgjithshme e teatrove në vendin tonë vazhdon të jetë e rëndë dhe me prirje për përkeqësim të mëtutjeshëm.
ShowBiz
Kjo gjendje ka qenë e tillë gjatë gjithë vitit 2015 sidomos në teatrot e qyteteve, të cilat, me ndonjë përjashtim të vogël, në mungesë të mbështetjes së mjaftueshme buxhetore institucionale, në rrafshin kreativ dhe artistik, kryesisht kanë improvizuar apo kanë vendnumëruar, transmeton lajmi.net.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së vlerëson se burimi kryesor i krizës menaxhuese dhe artistike të teatrit në Kosovë është Ligji për Teatrot.
Që prej miratimit dhe hyrjes së tij në fuqi më 24.05.2011, ky ligj sipas artistëve i ka shkëputur teatrot e qyteteve nga varësia buxhetore e MKRS-së, me çka praktikisht, duke i lënë ato në mëshirën e buxheteve të vogla komunale, e ka rrezikuar skajshmërisht funksionimin dhe ekzistencën e tyre të mëtutjeshme.
Në funksion të ndryshimit e të përmirësimit cilësor e afatgjatë të gjendjes së përgjithshme në skenën teatrore vendore, Bordi Ekzekutiv i SHATK-së e vlerëson si të domosdoshme dhe të pashmangshme nevojën për ndryshimin e Ligjit për Teatrot. /lajmi.net