Arteta refuzoi mundësinë e transferimit të Icardit në janar

Arsenal thuhet se kishte mundësinë për të transferuar yllin e PSG-së, Mauro Icardi në afatin kalimtar dimëror, por trajneri Mikel Arteta e refuzoi.

Sport

14/02/2022 16:21

“Topçinjtë” janë të pakët në sulm, duke marrë parasysh largimin e qendërsulmuesit Pierre-Emerick Aubameyang, që iu bashkua Barcelonës si agjent i lirë, transmeton lajmi.net.

Arsenal provoi transferimin e Alexander Isak nga Real Sociedad, por nuk ia doli.

Sidoqoftë, “The Athletic”, raporton se klubi londinez kishte rastin për të nënshkruar me argjentinasin.

Icardi është zgjedhje e dytë për PSG-në prapa Kylian Mbappe, derisa ka shënuar vetëm një gol në 10 ndeshje si titullar këtë edicion, kurse ka zhvilluar vetëm 47 minuta në Ligën e Kampionëve.

PSG thuhet se kishte propozuar shkëmbimin mes Icardit dhe Aubameyang, në kohën kur ylli nga Gaboni nuk kishte ofertë nga Barcelona.

Por, Arteta nuk pranoi ngase nuk e shihte Icardin si lojtari adekuat për mënyrën e lojës të skuadrës.

Arsenal thuhet se propozoi edhe shkëmbimin Morata-Aubameyang, por që ishte shumë e komplikuar shkaku që spanjolli është huazim te Juventus nga Atletico Madrid./Lajmi.net/