Artan Behrami: S’e di si përfundova në listën e ndalimit për vizitë te Hashim Thaçi, kam dy vjet që s’kam kërkuar vizitë

Artan Behrami, ish-këshilltar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Hashim Thaçit, ka reaguar pasi u përfshi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në listën prej 14 personash të cilëve u është ndaluar ta vizitojnë ish-presidentin në Hagë. Në një deklarim për Kosova Live, Behrami u shpreh i habitur me vendimin dhe theksoi se nuk ka bërë…

Lajme

15/08/2025 17:38

Artan Behrami, ish-këshilltar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Hashim Thaçit, ka reaguar pasi u përfshi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në listën prej 14 personash të cilëve u është ndaluar ta vizitojnë ish-presidentin në Hagë.

Në një deklarim për Kosova Live, Behrami u shpreh i habitur me vendimin dhe theksoi se nuk ka bërë asnjë kërkesë për vizitë që nga viti 2023, transmeton lajmi.net

“Unë dhe një grup bashkëpunëtorësh kemi hequr dorë nga kërkesat për vizitë që nga viti 2023, për t’ia lënë hapësirën familjarëve. Që nga ajo kohë nuk kam bërë asnjë kërkesë. Nuk e di si përfundova në këtë listë”, deklaroi ai.

Në të njëjtën listë të ndalesës për vizita janë përfshirë edhe tre vëllezërit e Hashim Thaçit, të cilëve gjithashtu u është ndaluar kontakti fizik me të.

Ky vendim vjen në kohën kur procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë./lajmi.net/