Arsyetimi i Supremes për kthimin e rastit të Shukri Bujës në rigjykim në shkallë të dytë

Përmes një komunikate për media, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se e ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja.

Lajme

30/03/2021 15:20

“Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarit Sh.B., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 442 par.1 të KPRK-së, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësit e të dënuarit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, në seancën e kolegjit të mbajtur më 17 mars 2021, vendosi që të miratoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të dënuarit Sh.B.. Me aktgjykimin PML 60/2021, Kolegji i Gjykatës Supreme ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.206/2019 të datës 21.09.2020 dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës –Departamenti Special APS.nr.33/2020 të datës 15.12.2020 në pjesën dënuese, përkitazi me këtë të dënuar dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së dytë në rigjykim”, thuhet në këtë vendim.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi,  thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës, në seancën e kolegjit shqyrtoi shkresat e lëndës në kuptim të nenit 435, paragrafi 1 lidhur me nenin 436, paragrafi 1 të KPPK-së dhe pas vlerësimit të pretendimeve në kërkesë, gjeti se kërkesa është e bazuar.

“Duke marrë parasysh faktin se me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë janë kundërshtuar dy aktgjykimet e instancave më të ulëta gjyqësore, mirëpo pretendimet janë paraqitur vetëm në drejtim të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë dhe posaçërisht për faktin se me këtë aktgjykim i pandehuri Sh.B. është shpallur fajtor për një vepër penale keqpërdorimi i keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 442 par.1 të KPRK-së dhe duke u bazuar në arsyetimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë del se dispozitivi i aktgjykimit për pikën I,4 (pika I,5 e aktakuzës) ishte ndarë pasi që ndaj të pandehurve H.G. dhe M.S. ishte konstatuar se kishte arritur parashkrimi i ndjekjes penale para se të fillojnë hetimet. Ashtu që gjykata e shkallës së dytë kishte përshkruar gjendjen faktike vetëm për të dënuarin Sh.B. lidhur me urdhëresën e lëshuar dhe e kishte cilësuar si veprim të ndarë në raport me dy të pandehurit e tjerë (H.G. dhe M.S.), Gjykata Supreme e Kosovës duke u bazuar në këto gjetje të gjykatës së shkallës së dytë dhe pretendimeve konkrete sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë vetëm përkitazi me këtë aktgjykim, atëherë vlerësoi vetëm aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë dhe arsyetimi do të përqendrohet vetëm përkitazi me këtë aktgjykim.”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se kjo gjykatë vlerëson se aktgjykimi i shkallës së dytë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1, nën paragrafi 1.12 lidhur me nenin 370, paragrafin 6 dhe 7 të KPPK-së dhe të cilat shkelje konsistojnë në pjesën e arsyetimit për ekzistimin e veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të dënuarit dhe mos identifikimin e veprimeve konkrete inkriminuese të të dënuarit, e posaçërisht pjesa ku i dënuari shpallet fajtor.

“Arsyetimi i aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë bazohet në faktin se i dënuari kishte nënshkruar urdhëresën e datës 07.03.2011 me të cilën i drejtohet Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë të Komunës së Lipjanit për regjistrimin dhe bartjen e pronave të cilat paraprakisht ishin eksproprijuar nga ana e Kuvendit Komunal në Lipjan dhe pastaj procesi ishte vazhduar me nxjerrjen e aktvendimit të kësaj Drejtorie dhe të cilat fakte nuk dalin të jenë kontestuese”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se bazuar në përmbajtjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë është shtruar një pyetje fundamentale, se urdhri i lëshuar nga ana e të dënuarit a përbënte karakter konstituiv për regjistrimin e pronës në emër të kompanisë “Neë Co Ferronikel Complex”.

“Andaj, duke analizuar këtë pretendim, Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se duke pasur parasysh faktin se Ligji për Themelimin e Regjistrit të të Drejtave të Pronës së Paluajtshme nr.2002/5 të datës 20.12.2002, nuk ka përcaktuar hollësisht dokumentet e nevojshme për regjistrimin e të drejtës së pronës, atëherë kjo çështje është rregulluar me nenin 5 të Udhëzimit Administrativ MSHP 7 2004/3, për zbatimin e ligjit mbi themelimin e regjistrit për të drejtat në pronën e paluajtshme, në të cilën është përcaktuar baza për regjistrim dhe atë: dokument valid nga organi kompetent (gjyqësor ose administrativ), vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente dhe një transaksion ligjor që përputhet me dispozitat e ligjit në fuqi”, thuhet në vendim.

“Pra, duke u bazuar në këtë rrjedh se arsyetimi i aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë nuk ka arsyetuar faktin se urdhri i lëshuar nga i dënuari a paraqet dokument mbi të cilin regjistrohet e drejta e pronës në emër të kompanisë “Neë Co Ferronikel Complex” dhe kjo duke marrë parasysh faktin se në aktvendimin nr.240/2011 të datës 09.03.2011, lëshuar nga Komuna e Lipjanit –Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër-Sektori për Kadastër, përkatësisht në hyrje të aktvendimit është theksuar baza ligjore e regjistrimit dhe atë Ligji për Themelimin e Regjistrit të të Drejtave të Pronës së Paluajtshme nr.2002/5 dhe 2003/2013 dhe Udhëzimi Administrativ MSHP 2004/3. Kurse në arsyetimin e aktvendimit në fjalë është theksuar se baza për regjistrimin e kësaj të drejte bazohet në kërkesën e Kompanisë “Neë Co Ferronikel Complex” L.L.C nga Drenasi-Gllogovc dhe e cila kishte bashkangjitur dëshmitë e plota për regjistrim. Ashtu që nga kjo rrjedh se gjykata e shkallës së dytë nuk ka arsyetuar efektin juridik të urdhrit të lëshuar nga ana e të dënuarit përkatësisht se a përbënte urdhri i lëshuar dokument konstitutiv dhe të domosdoshëm për regjistrim të të drejtës së pronës, mirëpo sipërfaqësisht në faqen 24 të aktgjykimit vetëm ka konstatuar se urdhri ka krijuar pasoja juridike pasi që pasi që pasi që është lëshuar urdhëresa më pas është bërë regjistrimi i pronës.”, thuhet tutje në vendimin e Supremes.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, thuhet se vërehet se në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë pamjaftueshëm është arsyetuar përgjegjësia penale e të dënuarit, përkundër faktit se dispozita e nenit 21 par.2 i KPRK-së, ka përcaktuar se: ”Personi vepron me dashje direkte kur është i vetëdijshëm për veprën e vet dhe e dëshiron kryerjen e saj”, dhe e cila ndërlidhet me dispozitën e nenit 22 i KPRK-së, se: “Dijenia, dashja, pakujdesia ose qëllimi i kërkuar si element i veprës penale mund të nxirret nga rrethanat faktike”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Bazuar në këtë, del se dashja si element subjektiv i veprës penale duhet të vlerësohet bazuar në rrethanat objektive të veprimeve të të dënuarit dhe duke u bazuar në veprimet konkrete të tij duhet të arrihet konkludimi se a manifestohen apo jo elementet e kësaj vepre penale e posaçërisht dashja direkte e tij. Duke marrë parasysh faktin se i dënuari ishte kryetar i Kuvendit Komunal në Lipjan dhe urdhri kishte të bënte me zbatim të vendimit të Kuvendit Komunal dhe faktin se urdhri a paraqiste apo nuk paraqiste element konsitutiv në bazë të të cilit ishte bërë regjistrimi i të drejtës së pronës”, thotë vendimi.

Sipas vendimit, nga kjo rrjedh se në aktgjykimin e kundërshtuar të gjykatës së shkallës së dytë nuk është arsyetuar aspekti i dashjes, përkatësisht është dhënë arsyetim sipërfaqësor, përkundër faktit se dashja paraqet elementin esencial subjektiv të figurës së kësaj vepre penale.

Tutje, thuhet se duke vlerësuar pretendimet e theksuara në kërkesë përkitazi me kundërshtimin e dispozitivit të aktgjykimit me arsyetimin e dhënë, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, dalin të jenë pretendime të bazuara, meqë, dispozitivi i aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë është i paqartë dhe në kundërshtim me arsyetimin e dhënë.

“Fillimisht në dispozitiv është theksuar se: “ …duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, ka tejkaluar autorizimet e tij…”, dhe i cili përshkrim është në disharmoni me pjesën arsyetuese pasi që në faqen 21 të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë është theksuar se: “…në cilësinë e kryetarit të komunës i ka tejkaluar kompetencat e tij…”, pra, nuk është specifikuar se për cilin veprim bëhet fjalë: për shfrytëzim të detyrës zyrtare apo tejkalim të autorizimeve të tij në cilësinë e kryetarit të Komunës së Lipjanit. Më tutje në dispozitiv të aktgjykimit nuk është theksuar fakti se cilin ligj dhe cilën dispozitë konkrete të ligjit e ka shkelur i dënuari me rastin e lëshimit të urdhrit, përkundër faktit që në faqen 20 të arsyetimit të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë është theksuar se: “…ka lëshuar urdhëresë drejtuar drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, pa pasur kompetencë ligjore për këtë veprim…” dhe i cili arsyetim po ashtu nuk thekson se ku bazohet fakti se veprimi i të dënuarit është bërë në kundërshtim me kompetencat e tij”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se po ashtu edhe pjesa tjetër e dispozitivit në të cilën është përshkruar se: “ …dhe me këtë i ka shkaktuar dëm të dëmtuarave Komunës së Lipjanit dhe Agjensisë Kosovare të Privatizimit (AKP)…”, dhe i cili përshkrim është në disharmoni me pjesën arsyetuese pasi që në dispozitiv nuk është specifikuar se për cilat prona konkrete bëhet fjalë, për cilat prona ishte dëmtuar Komuna e Lipjanit dhe për cilat Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe i cili konstatim i përshkruar në dispozitiv nuk ishte arsyetuar.

Sipas vendimit të Supremes, më tutje në dispozitiv të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë përshkruhen veprimet e të dënuarit se: “…duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Kadastrën numër 2003/25 dhe Ligjin për themelimin e regjistrimit të të drejtave të pronës së paluajtshme numër 2002/5 dhe 2003/13, nxjerr urdhëresën për regjistrim dhe bartje të pronës me nr. 01 nr.400-465/2011 të datës 07.03.2011…”.

“Mirëpo, nuk është bërë qartësimi se cilat dispozita konkrete të ligjeve të përshkruara janë shkelur me rastin e lëshimit të urdhrit, dhe po ashtu as në pjesën arsyetuese nuk është qartësuar fakti se cilat dispozita konkrete e ligjeve të cituara janë shkelur, por në arsyetim vetëm citohen dispozitat ligjore me të cilat bëhet transferimi, bartja dhe procedura e regjistrimit e pronës”, thotë vendimi.

Supremja thotë s  nuk është arsyetuar se ku konsiston shkelja konkrete e të dënuarit dhe në kuadër të kësaj i rëndësishëm është të ceket fakti se bazuar në legjislacionin në fuqi të specifikuar më lartë, ka mbetur i paarsyetuar aspekti kryesor se në fakt urdhri i lëshuar a paraqet dokument konsitutiv, përkatësisht bazë për të bërë regjistrimin e të drejtave të pronës në fjalë apo jo.

“Dhe së fundi përshkrimi i dispozitivit të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë në vijim përshkruhet se: “…duke mundësuar bartjen e të drejtës së pronësisë së pronave komunale dhe shoqërore të eksproprijuar kundërligjshëm nga vet i akuzuari…”, e cila pjesë e dispozitivit bie në kundërshtim me arsyetimin e aktgjykimit, por edhe me provat e administruara që gjenden në shkresat e lëndës, meqë duke marrë për bazë tërësinë e provave të administruara del se eksproprijimi i pronave nuk ishte bërë nga i dënuari, por ishte bazuar në vendimin e Kuvendit Komunal të Lipjanit, përkatësisht në mbledhjen e gjashtë të datës 20.05.2008, dhe për më tepër, e votuar nga ana e delegatëve të këtij kuvendi”, thuhet në këtë vendim.

Nga të gjitha këto, Gjykata Supreme e Kosovës  ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.1.12 lidhur me nenin 370 par.6 dhe 7 të KPPK-së dhe për këtë arsye u vendos që aktgjykimet e kundërshtuara të anulohen dhe lënda të kthehet gjykatës së shkallës së dytë në rivendosje.

Sipas vendimit, në rigjykim gjykata e shkallës së dytë duhet të veproj në pajtim me vërejtjet e dhëna në këtë aktgjykim dhe pas kësaj të marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo juridike.

“Fillimisht duhet të vlerësoj pretendimet ankimore përkitazi me pjesën dënuese të aktgjykimit për të dënuarin Sh.B. dhe pastaj të përcaktoj me saktësi çështjen e urdhrit të lëshuar nga ana e të dënuarit dhe faktin se urdhri i tillë a paraqet apo jo dokument konstitutiv të regjistrimit të pronës bazuar në ligjet dhe aktet nënligjore që rregullojnë këtë fushë. Më tutje duhet të konkretizohet fakti se i dënuari a ka shfrytëzuar detyrën zyrtare apo ka tejkaluar autorizimet e tij dhe kjo të përcaktohet qartazi për cilin ligj dhe dispozitë konkrete aludohet se e ka shkelur i dënuari dhe përcaktimin e saktë të të dëmtuarve në këtë rast, përkatësisht se për cilat paluajtshmëri ishte e dëmtuar Komuna e Lipjanit dhe për cilat AKP, kurse në fund këto aspekte të ndërlidhen me anën subjektive të veprës penale, përkatësisht përcaktimin e dashjes, dijenisë dhe qëllimin e të dënuarit që me rastin e ndërmarrjes së veprimit të tij kishte për qëllim shkaktimin e dëmit, si element esencial i kësaj vepre penale”, thotë vendimi.

Ndryshe, ky vendim u bë i ditur një ditë pas raportimit se gjykata nuk arrin ta gjej Shukri Bujën, që ta dërgojë në vuajte të dënimit me burg

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt 2021, kishte lëshuar një urdhëresë për shkuarje në vuajte të dënimit me burgim për ish-kryetarin e Komunës së Lipjanit, Shukri Buja.

Buja është dënuar me një vit burgim efektiv nga Gjykata e Apelit, pasi është shpallur fajtor për korrupsion për kohën sa kishte qenë kryetar i Komunës së Lipjanit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas urdhëresës së gjykatës, Buja ka qenë dashur të fillojë vuajtjen e dënimit prej një viti burgim nga data 22 mars 2021.

Por, me arsyetimin se Buja ka ndërruar vendbanim, gjykata nuk kishte arritur që urdhëresën të dorëzojë tek ish-kryetari i Lipjanit, tashmë i dënuar për korrupsion.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 26.02.2021, ka lëshuar Urdhëresë për të dënuarin SH.B. që i njëjti të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë me datë 22.03.2021, për mbajtjen e dënimit me burg në kohëzgjatje prej një viti. Urdhëresa i është lëshuar sipas adresës së cekur në aktgjykim, por sipas fletë dërgesës së kthyer nga ana e dorëzuesve të gjykatës, e njëjta nuk ka arritur të dorëzohet pasi që në fletë dërgesë është shënuar se i njëjti është shpërngulur nga ajo adresë”, thuhej në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” nga ana e zyrtares për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Në përgjigjen për “Betimi për Drejtësi”, Gashi ka thënë se gjykata e ka përsëritur sërish urdhëresën për Bujën. Sipas urdhëresës së re, Buja duhet të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë më 12 prill 2021.

“Bazuar në këtë Gjykata përsëri me datë 25.03.2021 ka përsëritur Urdhëresën për të dënuarin SH.B., që i njëjti të lajmërohet në vuajtje të dënimit më datë 12.04.2021, mirëpo deri më tani nuk kemi informacione nëse i njëjti ka pranuar Urdhëresën nga Gjykata”, thuhej në përgjigjen e Gashit për “Betimi për Drejtësi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 shtator 2020, ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, e kishte dënuar me dy vjet burgim për korrupsion. Ky dënim i shqiptuar ndaj tij, kishte ardhur pas rigjykimit dhe pasi që në gjykimin e parë, Buja ishte dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar ishin shpallur edhe zyrtarët tjerë komunal të Lipjanit, Bajram Rizani, Halit Gashi, Edmond Rexhepi, kurse për marrje ryshfeti, fajtor ishte shpallur Hasim Viseshella.

Të akuzuarit Rizani, Gashi dhe Rexhepi ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim, mirëpo, ky dënim, me pëlqimin e tyre ishte zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 2 mijë euro. Kurse, i akuzuari Viseshella ishte dënuar me pesë muaj burgim. Edhe për këtë të akuzuar, dënimi me burg ishte zëvendësuar në dënim në gjobë, në vlerë prej 1 mijë e 500 euro.

Ndërsa, Magbule Sadiku, Driton Avdiu dhe Burim Kodra ishin liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në mungesë të provave.

Ndaj Bujës, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim refuzues për pesë pika të akuzës, ku ngarkohej me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe ushtrimit të ndikimit.

Edhe ndaj të akuzuarit Fahri Retkoceri, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues për veprat penale të dhënies së ryshfetit dhe punimeve ndërtimore të kundërligjshme. Kjo, sipas kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka ardhur pasi që veprat penale janë parashkruar.

Gjykata kishte detyruar të akuzuarin Buja, që të kompensojë Komunën e Lipjanit dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në lartësi prej 79,155.00 euro, kurse për kërkesat tjera pasurore-juridike, Komunën e Lipjanit dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit i kishte udhëzuar në kontest civil. Sa i përket propozimit për anulimin e vendimeve të cekura në aktakuzë, gjykata ka vendosur që të njëjtat janë jo-lëndore pasi janë nxjerrë në procedura administrative.

Pas ankesave të ushtruara kundër këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit ia kishte përgjysmuar dënimin Bujës ashtu që ndaj tij kishte shqiptuar dënim me burgim efektiv prej një viti.

Po ashtu, Bujës i është shqiptuar edhe dënim plotësues “ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve”.

Gjykata e Apelit e kishte anuluar edhe dënimin plotësues të shqiptuar ndaj Bujës nga shkalla e parë, ku Buja detyrohej që palët e dëmtuara t’i kompensojë me afër 80 mijë euro. Për këtë pikë, Apeli i kishte udhëzuar Komunën e Lipjanit dhe AKP-në në kontest të rregullt civil.

Për pikat të tjera të aktakuzës për të cilat shkalla e parë i kishte dënuar Bujën dhe të akuzuarit Halit Gashi dhe Bajram Rizani, Apeli kishte nxjerr aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

Po ashtu, aktgjykim refuzues ishte marr edhe për të akuzuarën Magbule Sadiku e cila ishte liruar nga akuzat nga shkalla e parë.

Ndërsa për të akuzuarit, Hasim Vishesella dhe Edmond Rexhepi, Apelit e kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë e cila të njëjtit i kishte dënuar për korrupsion dhe lëndën ndaj tyre e ka kthyer në rigjykim. Për pjesët tjera të aktgjykimit, Apeli e kishte lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë.

Kundër këtyre vendimeve, mbrojtja e Shukri Bujës ka ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se kërkesa për mbrojtje ligjshmërie, për rastin në fjalë, është pranuar në Gjykatën Supreme me datë 16 shkurt 2021, me datë 8 mars 2021 është ndarë në punë dhe ende nuk është vendosur” – thuhet në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” nga zyrtarja për informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Nebih Zeqiri, mirëpo për shkaqe shëndetësore, gjykata kishte veçuar procedurën për të.

Ndryshe, pas përfundimit të gjykimit të parë, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.

Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja dhe Zeqiri, për katër pika të aktakuzës, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.

Për të njëjtën arsye, kalimin e afatit të parashkrimit, Themelorja kishte refuzuar edhe pikat II.3 dhe II.2 të aktakuzës, ku Buja akuzohej për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit, kurse Retkoceri akuzohej për veprën penale të dhënies ryshfetit.

Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit më vendimin e marrë më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i tij është i pakjartë për shkak se pjesa dënuese është në kundërshtim me pjesën liruese dhe atë refuzuese.

Kjo, pasi siç kishte vlerësuar Apeli, nga një gjendje e njëjtë faktike për të akuzuarin Shukri Buja, gjykata e shkallës së parë, për disa vepra e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim, ndërsa, për disa ka nxjerrë aktgjykim refuzues me arsyetim se ka arritur parashkrimi absolut e për disa tjera ka nxjerrë edhe aktgjykim lirues, edhe pse sipas Apelit, kemi të bëjmë me një gjendje të njëjtë faktike dhe periudhë të njëjtë kohore për të cilën akuzohet se i ka kryer veprat penale.

Siç thuhet në aktvendimin e Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar as dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe ka dështuar të vërtetojë edhe elementin e dashjes.

Në rigjykim, Apeli e kishte udhëzuar Themeloren që të vërtetojë dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe të merr parasysh pretendimet e ankimore lidhur me parashkrimin absolut të veprave penale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 13 shkurt 2017 kishte ngritur aktakuzë me të cilën i ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqirin – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

Buja akuzohet se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, kishte nxjerrë vendim për shpalljen e interesit të përgjithshëm, për eksproprijimin e patundshmërive në Medvec dhe Magure, me gjithsej sipërfaqe 76.30.37 ha, edhe pse për eksproprijimin për eksploatim ka qenë kompetent niveli qendror.

Sipas prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës iu ka drejtuar “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “Neë Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Në një rast tjetër, prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “N Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohet për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi. Po ashtu, Retkoceri akuzohet se të akuzuarit Buja ia kishte riparuar një automjet të tipit “Mercedes ML”, i cili kishte qenë pronë e Komunës së Lipjanit. Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Retkoceri e kishte bërë për të ndikuar tek inspektorët komunal që të mos ia ndërprenë punimet në objektin e nisur.

E për veprimin e lartcekur, prokuroria e ngarkon edhe Bujën pasi sipas aktakuzës, me dashje ka ndikuar tek zyrtarët tjerë komunal që të mos e pengojnë Retkocerin në ndërtimin e objektit kolektiv-banesor.

I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendon se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për të gjitha këto veprime, PSRK e ngarkon Bujën me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Marrje ryshfeti”.

Për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, akuzohen edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Magbule Sadiku, Burim Kodra, Driton Avdiu dhe Bajram Rizani.

Hasim Viseshella akuzohet për veprën penale “Marrje e ryshtetit”, kurse i akuzuari Fahri Retkoceri akuzohet për veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Dhënia e ryshfetit”.