Arrin në 24 numri i viktimave nga zjarret në Los Anxhelos

Numri i të vdekurve nga zjarret në Los Anxhelos u rrit në të paktën 24 të dielën vonë, ndërsa zyrtarët janë të shqetësuar se më shumë trupa do të gjenden gjatë kërkimeve në lagjet që janë rrafshuar nga flakët. Flakët e furishme vazhduan të shkatërrojnë bregun perëndimor të Kalifornisë, ndërsa zyrtari më i lartë i…

Bota

13/01/2025 12:22

Numri i të vdekurve nga zjarret në Los Anxhelos u rrit në të paktën 24 të dielën vonë, ndërsa zyrtarët janë të shqetësuar se më shumë trupa do të gjenden gjatë kërkimeve në lagjet që janë rrafshuar nga flakët.

Flakët e furishme vazhduan të shkatërrojnë bregun perëndimor të Kalifornisë, ndërsa zyrtari më i lartë i emergjencës amerikane paralajmëroi se erërat mund të paraqesin kërcënime të reja në ditët në vijim.

“Erërat potencialisht po bëhen më të forta dhe të rrezikshme”, tha Deanne Criswell, administratorja e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, ose FEMA, për emisionin “State of the Union” të rrjetit CNN. “Asnjëherë nuk e dini se në ç’drejtim po fryjnë”.

Zyrtarët lokalë shprehën frikën se ndërsa zjarret përhapen, ato mund të rrezikojnë zona më të populluara dhe të kërcënojnë disa nga monumentet kryesore të qytetit, duke përfshirë Muzeun J. Paul Getty, në të cilin ka vepra të njohura të artit dhe Universitetin e Kalifornisë, një nga universitetet më të njohura publike në SHBA.

Senatori i Kalifornisë, Adam Schiff, i tha rrejtit CNN se lëvizja nëpër komunitetet e shkatërruara “më kujtoi sinqerisht vizitat në zonat e luftës. Janë lagje të tëra që janë zhdukur. Nuk e kemi parë këtë më parë” dhe kjo “është zemërthyese”.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i tha rrjetit NBC se zjarret mund të jenë fatkeqësia më e rëndë natyrore në historinë e Shteteve të Bashkuara. VOA