Arrijnë muxhahedinët në Shqipëri

Rreth 155 muxhahedinë iranianë kanë mbërritur nga kampi i “Liria” i Irakut në Shqipëri. Mediat iraniane raportojnë se muxhahedinët, që për qeverinë e Teheranit konsiderohen terroristë, kanë udhëtuar në Tiranë me një avionë privat. Burime nga Ministria e Brendshme konfirmuan dje se ardhjen e kontingjentit të muxhahedinëve gjatë ditëve të fundit, po pa saktësuar detaje të tjera të nevojshme për publikun shqiptar.

Lajme

26/08/2016 17:58

Muxhahedin-e-Khalk, ose MKO. Organizata është themeluar në vitin 1960 në Iran, si krah i armatosur i rezistencës kundër vendosjes së regjimit të republikës islamike. Për qeverinë e Iranit ata cilësohen si terroristë dhe akuzohen për 12 mijë të vrarë në dekadat e fundit. Pas viteve 1980, për shkak të përndjekjes nga qeveria iraniane u vendosën në Irak. Sadam Hyseni në vitet i përdori në luftën Irak-Iran.

Në fund të viteve ’80 edhe SHBA-ja i futi në listën e organizatave terroriste. Në vitin 2009 vendet e SHBA dhe BE-së vendosen heqjen e emrit të kësaj organizate nga lista e terrorizmit. Grupi numëron rreth 15 mijë anëtarë në gjithë botën. Numri më i madh i tyre ndodhej në “Asharaf” në Irak, ku u vendosën që pas marrëveshjes me Sadam Hysenin. Për shkak të ndryshimit të politikave të Iranit me Irakun prania e tyre në këtë kamp është e rrezikuar.

Pas ndërhyrjes së SHBA në Irak, rreth 3 mijë muxhahedinët që ndodheshin në këtë vend, në pamundësi për tu rikthyer në Iran morën statusin e refugjatit nga organizatat ndërkombëtarë. Ndërsa SHBA-ja kërkoi zhvendosjen e tyre dhe Shqipëria u tregua e gatshme për t’i pritur. Asnjë shtet tjetër nuk pranoi ti merrte.

Kontingjenti me 155 muxhahedinë që ka ardhur këto ditë është pjesë e marrëveshjes SHBA-Shqipëri për të strehuar në vendin tonë rreth 2 mijë persona të këtij komuniteti. Marrëveshja e parë është nënshkruar nga ish-kryeministri Sali Berisha në vitin 2012, për pranimin e rreth 250 anëtarëve të kësaj organizate. Ndërkohë që Kryeministri Edi Rama në vitin 2012 ra dakord për sjelljen në Shqipëri të gjithë grupit të organizatës së muxhahedinëve që ndodhet në Irak.

Marrëveshja mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Amerikane është nënshkruar në muajin qershor të këtij viti, gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit, Xhon Kerry në Tiranë. Në muajin shkurt u zbuluan detaje të marrëveshjes, ku rezultoi se megjithë ata që kishte pranuar qeveria “Berisha”, numri total i muaxhedinëve në Shqipëri do të arrijë në 3 mijë.

Pra, i gjithë komuniteti iranian i kësaj organizate që ndodhej në Irak do të strehohet në Shqipëri. Marrëveshja SHBA-Shqipëri parashikon që qeveria jonë të përfitojë rreth 20 milionë dollarë asistencë për strehimin e tyre.

Nga ana tjetër, pranimi i një numri kaq të madh muxhahedinësh e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion jo shumë të favorshëm. Për qeverinë e Iranit ata janë terroristë dhe në Irak ka pasur disa sulme ndaj tyre për ti eliminuar.

Duket se jo rastësisht pas marrëveshjes me ambasadën e Iranit në Tiranë është instaluar një stacion i shërbimeve sekrete të Teheranit, sipas vetë muxhahedinëve. Vende si Greqia dhe Serbia kanë shprehur shqetësimin se Shqipëria rrezikon të kthehet në një problem për ekstremizmin duke parë të kaluarën e anëtarëve të këtij grupimi.

Me vendosjen e tyre përfundimtare në Shqipëri, vendi ynë ka një komunitet tjetër etnik që do të kërkojë, përveçc strehimit edhe punësim, arsimin dhe trajtimin financiar. Marrëveshjet qeverive shqiptare për këtë komunitet kanë kaluar pa shumë debate në opinion. Institucionet zyrtare kanë qenë të rezervuara në informacione për mediat.

Por realisht disa çështje qëndrojnë pezull, duke nisur që nga mundësitë që ka Shqipëria për të kryer një operacion të tillë. Dilema kryesore mbetet siguria.

Vendimi i kryeministrit Edi Rama për ta hapur dyert për iranianët, më shumë se një gjest në shenjë humanizmi, duket se kishte si qëllim marrjen e mbështetjes së SHBA-ve për qeverinë e tij. Fill pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Edi Rama u ftua në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë muxhahedinët filluan të vijnë në Shqipëri. Se ç’garanci japin amerikanët për muxhahedinët mbetet të shikohet në vitet në vazhdim.