Arrihet marrëveshja për telekomin dhe energjinë
Ka përfunduar takimi midis Kryeministrave Thaçi dhe Dacic në Bruksel, me arritjen e marrëveshjes për telekomunikacionin dhe energjinë. Për zgjedhjet, rishikim progresi dhe vendime të rëndësishme. Baronesha Ashton e thotë fjalën e saj.
Lajme
Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, pas përfundimit të takimit me Kryeministrat Thaçi dhe Dacic, në Bruksel, ka lëshuar një deklaratë – me të cilën ka njoftuar se është arritur marrëveshja për telekomin dhe energjinë.
“Jemi takuar me Kryeministrin Thaçi dhe Kryeministrin Dacic sot në Bruksel për të diskutuar implementimin e Marrëveshjes së Prillit. Dy Kryeministrat kanë arritur marrëveshje për telekomin dhe energjinë.”
“Sa i përket zgjedhjeve lokale të nëntorit, ne kemi rishikuar progresin e arritur dhe kemi marrë disa vendime të rëndësishme për të siguruar proces të drejtë dhe të pjesëmmarrje të plotë në këtë proces zgjedhor.”
“Dy Kryeministrat janë pajtuar për të bërë një Grup Punues që do të punojnë në zgjedhje, të udhëhequr nga OSBE, e që do të bëhet në ditët në vijim.”
“Pritet edhe një takim në ditët në vijim, kështu që vendimet që u implementuan sot erdhën në një kohë të duhur.”
(E Plotësuar: 23:00)
Takimi midis Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic ka përfunduar me marrëveshjen e arritur për telekomunikacionin dhe energjinë, ka njoftuar në Twitter Zëdhënësja Maja Kocijancic.
“Takimi ka përfunduar me marrëveshje për telekomin dhe energjinë.”
“Për zgjedhjet, ka një rishikim të progresit.”
“Të dy kryeministrat kanë marrë disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurimin e zgjedhjeve të ndershme dhe mundësimin e pjesëmarrjes së plotë në procesin zgjedhor.”
(E Plotësuar: 19:40)
Thaçi: Për zgjedhjet vendoset në Kosovë, jo në Bruksel
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë para takimit se në Bruksel do të dikustohet për telekomin e energjinë, e jo për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit – ashtu siç ishte paralajmëruar.
“Për zgjedhjet vendos Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës. Nuk vendoset kjo çështje në Bruksel.”
“Gjithçka do të jetë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe sipas marrëveshjes së 19 prillit.”
“Sot ne shpresojmë se do të përmbyllim çështjen e telekomunikacionit dhe energjisë dhe ritheksoi se për çështjen e zgjedhjeve vendos Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës.”
Por, Zëdhënësja Maja Kocijancic, siç transmeton REL, ka dhënë tjetër version të agjendës së bisedimeve.
“Palët do të bisedojnë për vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së Prillit. Në fokus të veçantë do të jenë zgjedhjet, përgatitjet për zgjedhjet në nëntor. Është e rëndësishme që këto zgjedhje të përgatiten mirë, që të shkojë gjithçka siç duhet.”
Kocijancic ka rikujtuar po ashtu pritjet e ndërmjetësueses Ashton që të dyja palët, në javët dhe muajt e ardhshëm, të zgjidhin çështjet e hapura me pjekuri dhe me konstruktivitet.
(E Plotësuar: 18:10)
Nis takimi
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic kanë filluar raundin e ri të dialogut, me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton.
Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic, ka bërë të ditur në Twitter që delegacionet kanë nisur bisedimet.
“Raundi i ri i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit ka filluar. Takimet bilaterale janë duke u mbajtur së bashku në zyrën e Baroneshës Ashton”, ka shkruar Kocijancic.
Në fokus të këtyre bisedimeve pritet të jenë zgjedhjet e 3 nëntorit, me theks të veçantë zgjidhja e çështjes së Listës unike “Serbia”.
Po ashtu, pritet që të bisedohet edhe për telekomin e energjinë, çështje për të cilat është paralajmëruar se do të arrihet marrëveshje.
Diskutojnë për Listën “Serbia”
Dy tema të ndjeshme do të diskutohen sot në Bruksel, në takimin e radhës ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Dacic, në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Delegacionet do të diskutojnë për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ndërsa pritet të zgjidhet edhe çështja e emrit të Listës unike “Serbia”, që do të marrë pjesë në zgjedhje.
KQZ ka paralajmëruar se nuk do ta pranojë këtë emër, ndërkohë që Serbia ka këmbëngulur se nuk do të heqë dorë nga kjo listë, pas të cilës qëndron Beogradi.
Kryeministri i Kosovës para takimit ka thënë se do të përmbyllin marrëveshjen për dy temat e fundit që janë diskutuar.
Sipas tij, Kosova dhe Bashkimi Europian i kanë kryer të gjitha obligimet që kanë pasur dhe tani presin qëndrimin e Serbisë.
Kryeministrat Thaçi dhe Dacic, po ashtu, pritet që gjatë ditës së sotme të bisedojnë edhe për telekomin e energjinë.
Edhe ky takimi ndërmjetësohet nga Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton.