Arrestohet shtetasi i Shqipërisë në Gjakovë, dyshohet për 17 raste vjedhjesh të rënda në disa shtëpi të pabanuara

Një person, shtetas i Shqipërisë është arrestuar pasi dyshohet se është i përfshirë në 17 raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura në qytetin e Gjakovës dhe në disa fshatra përreth. Sipas njoftimi të Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës bëhet e ditur se vjedhjet janë raportuar në disa shtëpi kryesisht të atyre që…

Lajme

16/07/2025 14:14

Një person, shtetas i Shqipërisë është arrestuar pasi dyshohet se është i përfshirë në 17 raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura në qytetin e Gjakovës dhe në disa fshatra përreth.

Sipas njoftimi të Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës bëhet e ditur se vjedhjet janë raportuar në disa shtëpi kryesisht të atyre që janë të pabanuara, pronarët e të cilave jetojnë jashtë vendit.

Në njoftim thuhet se vlera e dëmeve të shkaktuara nga këto raste për momentin është e panjohur.

“Menjëherë pas raportimit të këtyre rasteve, hetuesit policorë të Stacionit Policor në Gjakovë, në koordinim të ngushtë me prokurorin kompetent, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe hetime intensive me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve. Gjatë hetimeve janë analizuar provat e gjetura në vendet e ngjarjes si dhe incizime nga kamerat e sigurisë”.

Tutje në njoftim thuhet se: “Si rezultat i punës hetimore, sot në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Planqor është arrestuar një person i dyshuar, mashkull i moshës madhore, shtetas i Shqipërisë, me inicialet R.M. I njëjti dyshohet se është i përfshirë në 17 raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura në qytetin e Gjakovës dhe në disa fshatra përreth”.

Gjithashtu siç bëhet e ditur në njoftim gjatë arrestimit dhe kontrollit, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar: një çantë krahu në të cilën kishte mjete të forta që dyshohet se janë përdorur për hapjen e dyerve, dy telefona celularë, një thikë dhe disa sende të tjera që mund të lidhen me veprat penale.

“Në konsultim me prokurorin e shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për grumbullimin e provave të mëtejme janë duke vazhduar. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Gjakovë, mbeten të përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, si dhe në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.