Arrestohet personi që kërcënoi Pacollin se do t’ia digjte fëmijët

Një person është arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës pasi që i njëjti po dyshohet se ka kërcënuar me jetë familjen e ish-ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacollit.

Lajme

03/05/2020 13:17

Naim Murseli, këshilltari i kreut të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se është arrestuar një person me inicialet E.H., pasi që i njëjti kishte kërcënuar Pacollin se do t’ia digjte fëmijët.

Sipas Mureselit, personi i arrestuar mbrëmë ka kërkuar edhe para nga Pacolli.

“Personi i arrestuar në orët e vona mbrëmë, me incialet E.H, i cili kërcënoi z. Pacolli dhe fëmijët e tij i ka kërkuar gjithashtu para. Personi ka pretenduar të jetë edhe prokuror i Kosovës. Ai ka kërcënuar po ashtu me arrestim të z. Pacolli. E.H ka kërkuar në internet shkollën e fëmijëve, e cila është shkollë publike, të z. Pacolli dhe ka kërcënuar atë se do t’i rrëmbejë dhe do t’i djeg ata për së gjalli. Z. Pacolli është shumë i tronditur dhe i mërzitur emocionalisht nga kërcënimët e bëra”, ka shkruar Murseli.

Theksojmë se Behgjet Pacolli ka qenë cak i sulmeve publike pas përplasjeve që ka pasur me zyrtarët e Vetëvendosjes, të cilët kanë kërcënuar me arrestim nëse del nga shtëpia shkaku i kthimit të tij nga Zvicra, pasi sipas rregullave në Kosovë secili i kthyer duhet të qëndrojë dy javë i izoluar si pasojë e pandemisë.

Pacolli kishte alarmuar se ka mundur t’i bëhet edhe sulm kur ishte kthyer nga Zvicra në Aeroportin e Prishtinës. /Lajmi.net/