Arrestohet kryetari i Bashkisë së Vlorës

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, është arrestuar në mënyrë të papritur, pak kohë pasi Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm ku ishte akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve për dhënie leje të ndërtimeve të paligjshme.

Lajme

06/02/2015 16:36

Arrestimi i Gjikës është bërë me urdhër të Prokurorit të ri të Vlorës, Ramadan Troci (Prokurori që lëshoi mandat-arrestin edhe për ish-Guvernatorin Ardian Fullani), me akuzën për shpërdorim detyre dhe ndërtim pa leje, në lidhje me objektin 11-katësh në qendër të Vlorës që është akoma në ndërtim.

Arrestimi i tij është bërë në mes të rrugës pranë banesës së kryebashkiakut pranë Ujit të Ftohtë nga grupi i operacioneve speciale (GOS) të Policisë së Shtetit.

Agjentë me maska e kanë ndaluar, e kanë zbritur nga makina e tij dhe e kanë futur në mjetin fuoristradë të policisë, raporton Gazeta Shqip.

Po ashtu, policia ka vënë në pranga si bashkëpunëtorë edhe shefen e urbanistikës në Vlorë, Dorjana Sulaj dhe biznesmenin e ndërtimit në këtë qytet, Artur Haxhi.

Tre të akuzuarit ndodhen në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Vlorës ku u është komunikuar masa e arrestit me burg. /lajmi.net/