Arrestohet ish-përgjegjësi i Shpellës së Gadimes
Ish përgjegjësi i \"Shpellës së Gadimes\", Nazif Tasholli është arrestuar bashkë me të birin nga Policia e Kosovës, për shkak të kërcënimeve ndaj punonjësve të \"Shpellës së Gadimes\".
Lajme
Tasholli ndaj të cilit Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH) ka ngritur tri padi penale, i kishte dorëzuar çelësat e “Shpellës” ditë më parë, por që të mërkurën pasdite ka prishë marrëveshjet e arritura me ministrinë, duke kërcënuar bashkë me të birin, një punonjës nga stafi i ri i “Shpellës së Gadimes”, raporton KosovaPress.
“Kjo nuk është hera e parë që Nazif Tasholli kërcënon punonjësit e shtetit, kësaj here edhe pas një marrëveshje të arritur me të. I njëjti është përgjegjës për shkatërrim dhe përfitim material nga ‘Shpella’, e cila sipas të gjitha raporteve është kthyer në gjendje të mjerueshme dhe të cilën MMPH tashmë e ka marrë nën përkujdesje”, thuhet në një komunikatë të MMPH-së.
Ditë më parë, edhe kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti, gjatë një vizite bërë ministrit Dardan Gashi, ka shprehur mbështetjen e parezervë për vendosmërinë e Ministrit duke theksuar se “Shpella e Gadimes” duhet të mbrohet nga shteti, për të ruajtur karakteristikat e saj dhe tërheqjen e turistëve në këtë pikë turistike.