Arrestohet inspektori i ndërtimit në Prishtinë, kapet në flagrancë duke marrë ryshfet
Policia e Kosovës ka arrestuar një inspektor të Komunës së Prishtinës për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’.
Lajme
Policia e Kosovës ka arrestuar në flagrancë një inspektor të Komunës së Prishtinës për përfshirje në veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’.
Sipas njoftimit, inspektori është arrestuar të martën rreth orës 17:00, shkruan lajmi.net.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë (NJRHKEK), më 29.09.2020 ka pranuar palën ankuese i cili ka deklaruar se është pronar i një firme ndërtimi që merret me ndërtime të larta. Ankuesi tregon se është duke e ndërtuar një objekt në një lagje të Prishtinës dhe se edhe përkundër faktit që posedon leje ndërtimi iu kanë ndaluar punimet nga një inspektor i ndërtimi i Komunës së Prishtinës dhe sipas tij, ky i fundit është duke i kërkuar ryshfet për t’ ia lejuar vazhdimin e punimeve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Siç bëhet e ditur në njoftim, pas pranimit të informatës, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të verifikimit të informacionit që jep ankuesi, sigurohet simulimi i veprës penale (sigurimi i parave, fotografimi i parave që do përdoren për simulim).
“Dje, më 29.09.2020, në ora 17:00, në një restauruan në Prishtinë realizohet arrestimi në flagrancë i një të dyshuari i cili kishte pranuar një shumë parash nga ana e ankuesit. Paratë e marra i gjinden në çantë personit të dyshuar. Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’”, thuhet më tutje në njoftim.
I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i njëjti me akt-vendim për ndalim të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Lajmi.net/