Arrestohet i riu që vendosi alarmat e policisë për të ndaluar veturën me targa të Serbisë

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një të riu, i cili me anë të një aplikacioni në telefon ndaloi një veturë me targa serbe nën autoritetin e zyrtarit policor.

Lajme

10/12/2021 16:41

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra për Informim e Policisë, ndërsa të njëjtit iu është caktuar masa e mbajtjes për 48-orë, raporton lajmi.net.

“Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve të bëra publike përmes rrjeteve sociale dhe disa portaleve, ku në një video-je shihet një automjet me një person të dyshuar duke përdorur aplikacione të ndryshme në telefon, me drita kinse vezulluese dhe duke i ndaluar veturat civile në autostradë, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore”, thuhet në njoftim.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta, personi i cili ka postuar videon në fjalë është identifikuar dhe i njëjti është sjellë në stacionin policor Obiliq dhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, pasi që ai gjatë asaj ngjarje në videon e publikuar, ishte prezantuar si zyrtar policor.

Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave nga njësia e hetimeve është kontaktuar prokurori kujdestar i cili ka sugjeruar që të iniciohet rasti “Prezantim i rremë si person zyrtar”, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes për dyzet e tetë (48) orë”, sqarohet ndër të tjera.

Arrestimi erdhi pas publikimit të pamjeve nga mediumi Newborn, të cilat mund t’i ndiqni më poshtë. /Lajmi.net/