Arrestohen dy persona të dyshuar për rastin e nxitjes së urrejtjes (Foto)
Referuar rastit, të shkrimit të grafiteve të ndodhur në shkollën fillore dhe të mesme ,,Pandeli Sotiri në fshatin Plemetin, komuna e Obiliqit, në mes të datës 19 dhe 20 prill 2017, puna e hetuesve policor ka rezultuar me arrestime.
Lajme
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe faktin se grafitet e shfaqura në përmbajtje nxisin ose përhapin publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim, midis grupeve kombëtare, policia thotë se menjëherë dhe me përkushtim të madh ka filluar hetimin specifik lidhur me rrethanat dhe identifikimin e personave të dyshuar.
“Mbështetur në informacionet e mbledhura nga tereni dhe në bazë të hetimeve preliminare, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i personave të dyshuar; F. Stolic, 17 vjeç, serb, shtetas i Republikës së Kosovës si dhe J. Jakovlevic 20 vjeç, serb, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit janë përfshirë në rastin në fjalë”, ka thënë Policia e Kosovës.
Nga të dyshuarit është sekuestruar edhe një sprej që dyshohet të jetë përdorur për shkrimin e grafiteve.
Përkitazi me rastin është konsultuar Prokurori i shtetit dhe me rekomandimin e tij, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti penal nën dyshimin për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, konform Nenit 147, të KPRK-së.
Pas përfundimit të veprimeve të nevojshme hetimore e procedurale të dyshuarit janë lënë të lirë në procedurë të rregullt./Lajmi.net/