Arrestimi i shtetasit të Kosovës në vendkalimin kufitar Serbi-Hungari, MPJD: Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke ndjekur nga afër këtë rast

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar për arrestimin e sotëm të shtetasit kosovar nga policia serbe në vendkalimin kufitar Serbi-Hungari, në Horogosh. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, njoftoi se mëngjesin e sotëm në vendkalimin kufitar Serbi-Hungari, në Horgosh, ka arrestuar personin me inicialet M.I., shtetas i Republikës së Kosovës, nën…

Lajme

12/10/2024 22:20

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar për arrestimin e sotëm të shtetasit kosovar nga policia serbe në vendkalimin kufitar Serbi-Hungari, në Horogosh.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, njoftoi se mëngjesin e sotëm në vendkalimin kufitar Serbi-Hungari, në Horgosh, ka arrestuar personin me inicialet M.I., shtetas i Republikës së Kosovës, nën akuzat për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999.

“Ministri i brendshëm serb pretendon në deklaratën e tij se rasti  ka të bëjë me gjoja rrëmbimin një çifti bashkëshortor të etnisë serbe në Prishtinë, nga M.I. në Qershor 1999, të cilët pastaj sipas pretendimeve të Daciq qenkan dërguar në një burg të improvizuar, ku i qenkan nënshtruar dhunës fizike dhe psikologjike”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

Po ashtu sot, rreth orës 08:00 të mëngjesit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u ndalua dhe u mor në pyetje nga policia kufitare serbe në pikën kufitare të Merdares, ndërsa po udhëtonte me autobus nëpër Serbi drejt Republikës Federale të Gjermanisë. Pas disa orësh ndalimi,  Berisha u lirua dhe po vazhdon udhëtimin drejt Gjermanisë.

“Lidhur me këto raste Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka reaguar menjëherë duke i dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për të konfirmuar vërtetësinë e rastit të arrestimit dhe për të siguruar informacionet relevante, përfshirë identitetin e plotë të personit të arrestuar, rrethanat e arrestit dhe lokacionin aktual ku ai po mbahet.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke ndjekur nga afër këtë rast dhe do t’iu mbajmë të informuar rreth detajeve tjera.”, thuhet në njoftim./Lajmi.net