Arrestimet nga Serbia, reagon OVL-UÇK: Ish-ushtarët të shmangin kalimin nëpër Serbi, shteti të reagojë në instancat ndërkombëtare

Publikimi i listave me emra dhe të dhëna personale të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga një lëvizje nacionaliste serbe ka nxitur reagime në Kosovë. Zhvillimi vjen në një periudhë kur autoritetet serbe kanë vazhduar arrestimet e shqiptarëve në pikat kufitare, duke i arsyetuar ato me dyshime për krime lufte. Në lidhje me…

Lajme

21/07/2026 14:11

Publikimi i listave me emra dhe të dhëna personale të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga një lëvizje nacionaliste serbe ka nxitur reagime në Kosovë. Zhvillimi vjen në një periudhë kur autoritetet serbe kanë vazhduar arrestimet e shqiptarëve në pikat kufitare, duke i arsyetuar ato me dyshime për krime lufte.

Në lidhje me këtë situatë, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Fatmir Sopi, deklaroi se listat e tilla nuk janë diçka e re, duke theksuar se autoritetet serbe kanë pasur prej kohësh evidenca të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, publikimi i këtyre listave është i panevojshëm, ndërsa theksoi se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa diplomatikë dhe ta adresojnë çështjen te organizatat ndërkombëtare.

“Shteti ynë duhet të jetë në nivel të detyrës, duhet të ankohet për këto gjëra pranë organizatave, si shtet i cili duhet t’i mbrojë qytetarët e vet dhe të ketë kujdes, edhe diplomacia jonë të angazhohet që me shtetet mike të bënë presion mbi Serbinë, që këto gjëra të mos ndodhin dhe të ekzistojë një liri e lëvizjes së të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre, për shembull politike, apo të kaluarën e tyre, në qoftë se, normal Serbia të kaluarën tonë si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e konsideron armiqësore”, ka thënë ai.

Sopi u bëri thirrje ish-pjesëtarëve të UÇK-së, por edhe qytetarëve të tjerë, që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë, duke paralajmëruar për rreziqet me të cilat, sipas tij, mund të përballen.

“Ne kemi pasë punën tonë në luftë për çlirimin e vendit tonë, mirëpo shumë herë ne u kemi bërë apel pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë, të mos kalojnë nëpër territorin e Republikës së Serbisë, sepse do të ballafaqohen me arrestime, me kërcënime, mund të ndodhë edhe me vrasje, prandaj shumë herë apeli ynë ka qenë, edhe pse një pjesë, dikush dikush nuk është duke e përfillur, mirëpo po përballen me pasoja, e sidomos po përballen me pasoja familjarët e tyre, se duhet të merren më punën e tyre edhe me lirimin e tyre. Bëjmë prapë apel, që jo vetëm pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe qytetarët e thjeshtë të rezervohen gjatë udhëtimeve dhe qëndrimeve në Serbi, sepse janë të disponuar armiqësisht ndaj nesh. Prandaj, duhet të kemi kujdes të gjithë, sepse akuza edhe për qytetarëve të thjeshtë është je pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më së lehti për t’i dënuar ata”, shtoi ai.

Duke komentuar zhvillimet e fundit, ai përmendi edhe deklaratat e zyrtarëve serbë, të cilat, sipas tij, tregojnë se retorika armiqësore ndaj Kosovës vazhdon të jetë e pranishme.

“Mirëpo, në këtë kohë kur flitet për marrëveshje, jemi në paqe, kur Serbia e ka pranuar humbjen dhe Serbia është tërhjekur me turp pas gati një shekulli pushtim mbi Kosovën, ne konsiderojmë se ato lista dhe ato kërkesa janë të panevojshme, kur kemi parasysh poashtu edhe kërkesat e prononcimet e pushtetarëve, kur ministrja e Serbisë që para disa kohe, kërkon dhe thotë se po të isha në vendin e Millosheviqit do t’a zbrazja Kosovën, do t’a spastroja etnikisht Kosovën dhe ajo do të ishte tokë serbe”, tha ai./lajmi.net/