Arkitekti ferizajas i vetmi pjesëmarrës nga Kosova në Bienalen e Venecias

Arkitekti ferizajas Tahir Luri, ka marrë ftesë nga Fondacioni “Galeria për Art” nga Venecia që të marr pjesë në një ekspozitë që organizohet në kontekst të Bienales së Venecias. Kjo ekspozitë me karakter garues, ka për temë "Kohën, hapësirën dhe ekzistencën".

ShowBiz

03/02/2016 15:16

Sipas arkitektit Tahiri, tema është shumë provokative në aspektin profesional. “Kjo sepse koha, hapësira dhe ekzistenca, na ngacmon neve si arkitekt, sepse kjo është në një farë mënyre edhe qëllimi i gjithë kësaj pune”, ka deklaruar Tahiri për lajmi.net

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për gjashtë muaj rresht, nga maji deri në nëntor. Kjo për arkitektin kosovar ka rëndësi pasi do të jetë e hapur në kohën kur Venecia do të vërshohet nga vizitorët e huaj.

Në këtë ekspozitë çdo arkitekt do të ketë hapësirën e vet për të treguar në një formë talentin e tij arkitekturor.

Arkitektit Luri i duhet përkrahje institucionale që të përfaqësojë Kosovën në një eveniment që ai e konsideron si shumë të rëndësishëm. Ai thotë se është i vetmi nga Kosova që do të marr pjesë në Bienalen e Venecias.

Ndryshe, ky arkitekt ferizajas ishte student i gjeneratës së pestë në arkitekturë në Universitetin e Prishtinës. /lajmi.net