Arifi: Kurti kishte premtuar se rrugën Prishtinë – Podujevë do e përfundonte më 2022

Ish-ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Avni Arifi, ka thënë se ende nuk është përfunduar rregullimi i rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë. Ndonëse sipas tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte premtuar se kjo rrugë do të përfundojë në vitin 2022. Në një postim në Facebook, Arifi theksoi se nëpërmjet kësaj rruge në Kosovë vjen…

Lajme

27/04/2025 17:42

Ish-ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Avni Arifi, ka thënë se ende nuk është përfunduar rregullimi i rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë.

Ndonëse sipas tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte premtuar se kjo rrugë do të përfundojë në vitin 2022.

Në një postim në Facebook, Arifi theksoi se nëpërmjet kësaj rruge në Kosovë vjen një pjesë e madhe e diasporës.

“Sot më ra të udhëtoj në rrugën Prishtinë–Podujevë, apo në rrugën që me të vërtetë duhet të quhet “Rruga e histerive të  Kurtit”. Pas ardhjes së Kurtit në pushtet, duke marrë parasysh se një numër i madh i diasporës udhëton për/nga Kosova përmes kësaj rruge, ai premtoi se kjo rrugë do të përfundonte në vitin 2022”.

“Në vitin 2022 nuk ndodhi asgjë, por më 1 qershor 2023, papritur filluan punimet masive në rrugë. Banorët përreth, por edhe shumë bashkatdhetarë, hoqën të zitë e ullirit atë vit nga pluhuri dhe zhurma, por të gjithë ishin të kënaqur duke thënë: “Albini po punon.” Ky edhe ishte qëllimi sepse në këtë rrugë përnjëmend vijnë shumë bashkatdhetarë dhe marrë parasysh përkrahjen që kishte marrë nga diaspora Kurti kishte nevojë për një mashtrim të tillë”, ka thënë Arifi.

Arifi shtoi se në këtë rrugë ishte punuar në vitin 2024 për tre muaj dhe më pas punimet ishin zhvilluar me ritme të ngadalta duke mos mundësuar përfundimin e saj.

“E vërteta është se gjatë atyre tre muajve (1 qershor – 1 shtator) u punua shumë dhe përnjëmend diku diku edhe natën punohej, sa që me atë ritëm punimet do të kishin përfunduar shumë më herët sesa ishte planifikuar, pra më 3 qershor 2024”.

“Fatkeqësisht, menjëherë pas largimit të diasporës, puna u kthye në stilin “një kolicë e tri kacija”. Më 1 qershor 2024 nuk përfunduan punimet, por qeveria premtoi se do të përfundonin më 1 shtator. Më 1 shtator nuk u kryen punimet, por qeveria premtoi se para Vitit të Ri do të kryheshin. Para Vitit të Ri nuk u përfunduan, por u tha se para 9 shkurtit “sigurt” do të mbaronin, sipas Ministrit. Tash jemi më 27 prill, dhe askush më as nuk premton, as nuk pyet, sepse edhe ashtu nuk marrin përgjigje”, tha Arifi.

I njëjti shtoi se rruga do të kryhet një ditë e ndoshta jo nga Kurti dhe njerëzit e tij por kualiteti i punimeve dhe siguria e kësaj rruge do të jetë sfidë për kohë të gjatë.