Argjentina është në duart e Messit

Pablo Zabaleta thotë se krejt ekipi i Argjentinës luan për Lionel Messin. Mbrojtësi argjentinas thotë se “Pleshti” di t’i vendos ndeshjet vetë, pasi është lojtar i madh dhe ka kualitet të jashtëzakonshëm.

Sport

03/07/2014 02:45

Lionel Messi është sikur Diego Maradona dhe duhet të vazhdojë të jetë njeriu kryesor i përfaqësueses së Argjentinës, nëse ky ekip synon ta fitojë Botërorin, mendon mbrojtësi i djathtë, Pablo Zabaleta.

Ylli i Barcelonës e dhuroi një asistim për Angel Di Marian në fitoren 1:0 ndaj Zvicrës, ndërsa shënoi edhe katër gola në tri ndeshjet e fazës së grupeve, duke u treguar njeriu kryesor i Argjentinës.

“Ne e dimë se ai është njëriu ynë kryesor, kapiteni ynë, lojtari më i mirë në botë. Ky ekip po luan për të dhe ne e dim se sa i rëndësishëm është Messi për ekipin tonë. Jemi me fat që e kemi Messin te Argjentina”, deklaroi Zabaleta.

“Lojtari më i mirë në botë do ta bëjë gjithmonë diferencën, në çdo ndeshje. Ne jemi duke e parë se ai është duke e shijuar lojën në këtë Botëror”, vijoi futbollisti i Manchester Cityt.

“Sa herë që e fitojmë topin, mundohemi të pasojmë tek ai, pasi është lojtari më i mirë që e kemi në ekip dhe ai shënon gola”, vazhdoi ai.

Dhe, derisa Argjentinën e ndajnë 270 minuta nga Botërori i parë pas 28 vjetësh, Zabaleta e kupton se përse Messi krahasohet me Maradonën.

“Messi ka qenë njëri prej lojtarëve më të mirë në botë për disa vite dhe ju gjithmonë prisni shumë gjëra nga ai, sikur Maradona vite më parë”, shtoi ai.

“Kjo është arsyeja se përse ne duhet të vazhdojmë të punojmë fort. Ky ekip po luan mirë në Botëror. Ne gjithmonë mundohemi të mos pësojmë gol dhe e dimë se kemi kualitet të mjaftueshëm për të shënuar gola. Kjo ndodhi edhe të martën”, përfundoi Zabaleta.