‘Arena Kombëtare’ nuk është gati, humb ndeshjen e shtatorit
Shqipëri-Islandë, e programuar për t’u luajtur në datën 10 shtator, nuk do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare”, ashtu siç patën shpresuar të gjithë.
Sport
Punimet në këtë impiant nuk kanë ecur me ritmin e duhur, duke bërë që të mos jetë gati për këtë sfidë, e cila luhet pas 40 ditësh.
Që nga parkimi, tapeti i stadiumit dhe detajet e tjera teknike, e bëjnë gati të pamundur që brenda këtyre ditëve të vihet në funksion.
Fillimisht u mendua që në qershor mund të përurohej, por edhe sfida me Moldavinë u zhvillua në Elbasan, për ta shtyrë prerjen e shiritit për stadiumi në shtator me Islandën.
Por, as kjo nuk do të ndodhë, me shpresën se do të mirëpresë ndeshjen e kuqezinjve me Francën në nëntor ose, në rastin më të keq, do të shtyhet për në vitin 2020.
Shtatori bëhet më i pamundur edhe nga fakti që UEFA kërkon të paktën një ndeshje kolauduese përpara se ta licencojë për zhvillimin e një ndeshjeje zyrtare ndërkombëtare.
Edhe pse për momentin nga ana e FSHF-së nuk ka asnjë zyrtarizim për stadiumin dhe nuk ka nisur puna për të marrë masat rreth kësaj sfide, burime të gazetës pohojnë se Elbasani do të jetë pritësi i ndeshjes me Islandën. Në ditët në vijim, pritet të dalin edhe biletat në shitje, ku edhe do të zyrtarizohet stadiumi i Elbasanit. Në një situatë të tillë, shpresat e vetme mbeten për t’u përfunduar në kohë për ndeshjen e 17 nëntorit, pikërisht me Francën ose të paktën tri ditë më para, me Andorrën./PanoramaSport/