Ardian Gjini e pranon se votën po e kërkon për parti, thotë se e dorëzon mandatin e deputetit edhe nëse fiton
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini shprehet i bindur se në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje do të bie nga pushteti. Derisa kritikon qeverinë aktuale për udhëheqje të dobët, ai potencon se Komunës së Gjakovës i ka munguar përkrahja e nivelit qendror. Përveç kësaj, Gjini thekson se qeveria ka…
Lajme
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini shprehet i bindur se në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje do të bie nga pushteti.
Derisa kritikon qeverinë aktuale për udhëheqje të dobët, ai potencon se Komunës së Gjakovës i ka munguar përkrahja e nivelit qendror. Përveç kësaj, Gjini thekson se qeveria ka dështuar në realizmin e disa projekteve në disa komuna ku ata qeverisin, siç thotë ai për shkak të mosdijes.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini flet për kandidaturën e tij si deputet dhe projektet më të mëdha që janë realizuar gjatë vitit 2024 dhe ato që planifikohen të kryhen brenda vitit 2025.
“Unë jam i bindur që qeveria do të ndryshojë, nuk do të jetë qeveria e njëjtë. Qytetarët e Kosovës, secili qytetar, edhe ata që me bindje të plotë e kanë votuar Vetëvendosjen në vitin 2021, e kanë të kjartë që diçka nuk është në rregull me ata. Edhe fanatikët më të mëdhenj të Vetëvendosjes sot e dinë që diçka nuk është në rregull…Veç me ia humbë Kosovës katër vjet është dështim kolosal. Arritjet e Kosovës për këto katër vjet janë zero. Nëse një vend për katër vite dështon në të gjitha aspektet, mund të ketë inercion”, thotë Gjini.
Gjini potencon se Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të investojë në Gjakovë.
“Komunat cilado, nuk mund të kryej projekte tepër të mëdha sikur që e kemi për shembull rrugën Gjakovë-Klinë ose Gjakovë-Dollc. Është projekt qeveritar, komunat nuk mund t’i kryejnë ato projekte. Duhet t’i kryejë qeveria. Qeveria e Kosovës ka pasur mundësi të bëjë më shumë në të gjitha komunat, jo vetëm në Gjakovë…Është bërë shumë pak për komuna. Ta krijojnë ndjenjën se duhet t’i lusim shumë, e më iu thanë 100 herë faleminderit që e bëjnë një projekt për qytetarët tonë. Janë dy situata këtu. Në disa komuna nuk kanë dashur, në disa komuna nuk kanë ditur. Për shembull nuk kanë ditur ta bëjnë autostradën e Gjilanit. Nuk kanë ditur ta bëjnë stadiumin e Gjilanit. Kanë dashur por s’kanë ditur. E në Gjakovë nuk kanë dashur”, potencon Gjini.
Gjini për KosovaPress tregon se do të hyjë në garë për deputet për të mobilizuar masën, porse mandatin do ta dorëzojë. Ai thotë se do të rikandidojë për kryetar të Gjakovës, për çka shprehet i bindur se për të dyja pozitat do të marrë votat e mjaftueshme.
“Unë kam hyrë në listë të aleancës për t’i ndërruar të gjitha që i thashë deri më tani. Për ta rritur aleancën, për t’i ndihmuar që opozita ta marrë pushtetin. Se nuk mundet Kosova të vazhdojë në këtë mënyrë të qeveriset më. Unë definivisht që do të garojë edhe për një mandat në Gjakovë dhe po iu garantoj që e fitoj në cilëndo rrethanë, e fitoj mandatin e tretë në Gjakovë. Mirëpo, e fitoj edhe mandatin për deputet të cilin dua t’ia dorëzoj opozitës. Në këtë rast, partisë sime aleancës me partnerët e vet të koalicionit. Motivi është thjeshtë për tu mobilizuar votë, njerëz, t’i nxjerrim njerëzit të votojnë, duke iu shpjeguar që ashtu siç është sot nuk bënë”, tregon Gjini.
Ndër të tjera, Gjini thotë se Komuna e Gjakovës brenda vitit 2024 ka realizuar projektin më të madh në vlerë prej 8 milionë euro, atë të rrugës për daljen në Deçan dhe Pejë.
Sipas Gjinit, projekte të tilla nuk ka mundur t’i kryejë Qeveria e Kosovës brenda katër vjetëve.
Ai flet edhe për dy projekte më të mëdha që planifikohet të përfundohen brenda vitit 2025.
“Projekti më i madh që ka ndodhur në vitin 2024 patjetër është rruga dalje për Deçan dhe Pejë. Është një projekt shumë i madh. Një investim ndoshta deri më tash investimi njëhershëm më i madh i Komunës së Gjakovës. Ka pasur edhe probleme ajo rrugë. Në fakt ajo rrugë është nisur diku në vitin 1974 ose 1975 dhe gjithmonë ka pasur shumë ngecje…Vlera me shpronësime e kalon 8 milionëshin… Qeveria e Kosovë për katër vjet nuk ka bërë projekt as përafërsisht më të madh, e as përafërsisht të njëjtë me një rrugë që e ka bërë Gjakova…Për vitin tjetër kemi prapë projekte shumë të mëdha në Gjakovë. Dy të mëdha që duhet përmendur është rruga ‘Tirana’ transiti e cila duhet të niset dhe përfundohet. E kalon vlerën 5 milionë, por këtu nuk kemi shpronësime. Vazhdon lumi Krena, Llukaci. Dhe e kemi një projekt tjetër shumë të madh që është liqeni në lumin Erenik. E kemi ndarë buxhetin, vitin tjetër fillon”, thotë Gjini.
Krejt në fund, i pari i Gjakovës, Ardian Gjini thotë se zona ekonomike amerikane ka mundur të jetë një prej aseteve më të jashtëzakonshme të Kosovës, porse sipas tij, qeveria aktuale nuk po punon drejt zhvillimit të këtij projekti.
Ai thotë se kanë refuzuar ta heqin këtë projekt nacional prej planit zhvillimor komunal dhe hartës zonale të komunës së Gjakovës, ani pse u është kërkuar.