Aprovohet projektbuxheti për vitin 2015

Qeveria e Kosovës ka aprovuar të premten draftbuxhetin e Kosovës për vitin 2015. Në krahasim me vitin 2014, buxheti i ri do të ketë një rritje prej 8.1 përqind.

Lajme

31/10/2014 11:54

Ministri i Financave, Besim Beqaj, duke folur për punën e Ministrisë Financave lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm ka thënë të beson se draftbuxheti do të mundësojë në mënyrë të patjetërsueshme rritje ekonomike, për aq sa ka fuqi buxheti.

“Është një buxhet që adreson të gjitha prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Një buxhet i cili edhe më tutje mban në nivel të lartë investimet kapitale, me një rritje ekonomike e cila planifikohet vitin e ardhshëm prej 4.1%”.

“Ne besojmë fuqishëm që tani nga momenti kur buxheti është i aprovuar në Qeveri, ai sot do të dërgohet në Kuvend konform bazës ligjore dhe ne presim pastaj veprimin e Kuvendit, sapo të konstituohet, në mënyrë që ne të hymë të përgatitur në vitin fiskal dhe në vitin kalendarik 2015”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se veçori e rëndësishme e këtij draftbuxheti është koherenca e politikave qeveritare, koordinimi ndërsektorial si dhe harmonizimi me prioritetet më të rëndësishme të vendit.

“Presim që edhe në vitin 2015 dhe vitet në vijim që ekonomia e Kosovës të vazhdojë me ritmet e saja pozitive të rritjes, ndërsa në kontekstin rajonal pritet të ketë normën më të lartë të rritjes me 4.1%, mesatarja për tre vite 4.3%”

“Për vitin 2015 të hyrat e përgjithshme planifikohen të jenë prej 1 miliardë e 576 milionë euro, apo një rritje prej 8.1% krahasuar me vitin 2014”.

“Me këtë propozimbuxhet ne planifikojmë vazhdimin e implementimit që kanë filluar këtë vit ose vitet e më hershme. Dhe, njëkohësisht do të fillojmë edhe implementimin e një sërë projektesh dhe programesh të reja”, tha Thaçi.