Anulohet protesta e 18 gushtit e punëtorëve të RTK-së
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka njoftuar anulimin e protestës së paralajmëruar për datën 18 gusht, pasi Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës dje ka miratuar kërkesën për huamarrje. Në një komunikatë publike, SPERTK falënderoi të gjithë punëtorët e RTK-së për përkushtimin dhe gatishmërinë gjatë protestave dhe veprimeve sindikale, veçanërisht…

Lajme
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka njoftuar anulimin e protestës së paralajmëruar për datën 18 gusht, pasi Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës dje ka miratuar kërkesën për huamarrje.
Në një komunikatë publike, SPERTK falënderoi të gjithë punëtorët e RTK-së për përkushtimin dhe gatishmërinë gjatë protestave dhe veprimeve sindikale, veçanërisht ata që kanë punuar pa u paguar për muaj të tërë për të mos lënë qytetarët pa informim.
Sindikata shprehu mirënjohje për mbështetjen e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Qendrën Solidare, si dhe për sindikatat dhe mediat në Shqipëri dhe SHBA që u solidarizuan me punonjësit e RTK-së.
SPERTK kërkon nga Kuvendi i ri i Kosovës miratimin urgjent të Ligjit të ri për RTK-në, financim të qëndrueshëm dhe të pavarur, si dhe ndryshime në formën e raportimit financiar. Po ashtu, theksohet nevoja për plotësimin e bordit të RTK-së dhe pozitave udhëheqëse sipas ligjit në fuqi.
Sindikata njoftoi se padia e paralajmëruar nuk do të dërgohet në gjykatë dhe të gjitha dokumentet e mbledhura me pëlqimin e punëtorëve do të asgjësohen sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Forcimi i RTK-së është forcim i lirisë së medias në një vend demokratik si Kosova,” përfundon deklarata e SPERTK-së.
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës dje ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar në parim kërkesën për huamarrje deri në 2,540,000 euro të Radio Televizionit të Kosovës për qëllime të likuiditetit të transmetuesit publik.