Anulohet pjesëmarrja në konferencën e OSBE-së në Budvë – shkak Kosovo*
Qeveria e Kosovës, në momentin e fundit ka refuzuar pjesëmarrjen në një konferencë rajonale për çështje të pushtetit lokal në Budvë të Malit të Zi, të planifikuar për t’u mbajtur më 5 dhe 6 prill, pasi që ka vërejtje në mënyrën se si Misioni i OSBE-së në Kosovë, si organizator i konferencës, e ka ftuar Kosovën të marrë pjesë në të.

Lajme
KALLXO.com ka siguruar një letër në të cilën sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, dërguar shefit të këtij misioni, Ambasadorit Jean- Claude Schlumberger, në të cilën ia ka shfaqur pakënaqësinë e Ministrisë për mënyrën se si ishte formatuar kjo konferencë.
Në këtë letër, Osmani shpreh keqardhje që delegacioni i Kosovës nuk mund të marrë pjesë në konferencën që kishte të bënte me integritetin publik në nivelin lokal.
“Qeveria e Kosovës refuzon të marrë pjesë në ndonjë konferencë ku përfaqësimi i Kosovës nuk është në harmoni me ‘aranzhimet për përfaqësim rajonal dhe bashkëpunim’ të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e Omanit të MAPL-së.
Osmani shkruan se bazuar në nenin 2 të marrëveshjes, “Kosovo” është emërtimi i vetëm që duhet të përdoret brenda kornizës së bashkëpunimit rajonal, ndërsa neni 3 e shpjegon përdorimin e fusnotës “pa paragjykuar qëndrimin ndaj statusit (të Kosovës)”, dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Por, Misioni i OSBE-së në Kosovë duket se i është shmangur asaj për të cilën ish-kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq kishin nënshkruar në Bruksel, në prill të vitit 2013, në prani të baroneshës Catherine Ashton.
Në faqen e dytë të agjendës së konferencës, sipas Besnik Osmanit, në fusnotën ku përmendet Kosova thuhet se “të gjitha referencat sa i përket territorit, institucionit ose popullatës në tekst duhet të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Në këtë drejtim, përderisa OSBE nuk është e gatshme ta harmonizojë agjendën në përputhje të plotë me marrëveshjen e lartpërmendur, është e papranueshme për delegacionin e Kosovës që të marrë pjesë në këtë konferencë rajonale”, shkruan Besnik Osmani në letrën për shefin e Misionit të OSBE-së.
Në një prononcim për KALLXO.com, Osmani ka konfirmuar anulimin e pjesëmarrjes së delegacionit kosovar në të cilin përfshiheshin edhe zyrtarë të lartë të nivelit lokal, agjencive të pavarura dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Të përkujtojmë se nga 1 janari i këtij viti Serbia, përkatësisht shefi i diplomacisë së saj, Ivica Daçiq është kryesues i OSBE-së.
Schlumberger ka thënë se në konferencën e Budvës fusnota e OSBE-së është përdorur “në harmoni me praktikën e vendosur të qëndrimit neutral ndaj statusit të Kosovës”.
Edhe Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, e cila ka qenë e ftuar për të marrë pjesë në këtë konferencë, konfirmoi për KALLXO.com se e ka refuzuar pjesëmarrjen.
“Pjesëmarrjen në konferencën e organizuar nga OSBE e kam anuluar pas marrjes së informatës se referencat për Kosovën, institucionet e saj dhe popullin e Kosovës do të jenë në përputhshmëri me Rezolutën 1244 të UNMIK-ut”, tha Kusari- Lila.