Ansambli “Shota” nuk ka arkiv për ta ruajtur krijimtarinë 50-vjeçare (Video)

50 vite punë në këtë ansambël, duke prezantuar këngë dhe valle popullore anembanë botës, “Shota” megjithatë ende ballafaqohet me problemin e mungesës së arkivit.

ShowBiz

15/02/2016 16:52

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, është themeluar në vitin 1948. Fillimisht funksionoi si shoqëri amatore. Ndërsa në vitin 1964 fitoi statusin e ansamblit profesionist dhe që nga ai vit ruan kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve shqiptare. Por e gjithë krijimtaria e këtij ansambli, rrezikohet pasi akoma nuk ka arkiv, raporton lajmi.net

Ligji për ansamblin “Shota” e obligon që të ketë arkivin ku duhet të ruaj gjithë dokumentacionin e historisë dhe veprimtarisë.

Drejtori Shefqet Gjocaj, thotë se mungesa e arkivit është pasojë e buxhetit të ndarë nga Ministria e Kulturës.

“‘Shota’ përballet me vështirësi të ndryshme. Së pari nuk jemi të kënaqur me buxhetin që na është ndarë. Për subvencione na janë ndarë 155 mijë euro, që kam konsideruar se janë pak, por nuk na kanë dhënë mundësi për me shpresua që mund ta kompletojmë veçanërisht arkivin e ansamblit”, thotë Gjocaj për lajmi.net

Ai thotë se ka kërkuar nga Këshilli Drejtues, që të dhoma e arkivit të pajiset me teknikë përkatëse, të punësohet një arkivist dhe të bëhet digjitalizimi i materialeve.

“Fatkeqësisht ‘Shota’ është dashur të ketë arkiv më shumë e në këtë rast ka pasur më shumë individ sesa arkiv. Në momentin e parë që ne do të kemi mundësi teknikisht ta përgatisim dhomën, edhe të kemi mundësi që ta punësojmë një njeri që do të merret me këtë punë, natyrisht deri atëherë ne të gjithë do të grumbullojmë materiale”, ka deklaruar Gjocaj.

Ai shton se kjo gjë po u shkakton telashe pasi ansambli tashmë ka mbushur 50 vjet dhe po ashtu “Shota” përballet edhe me mungesën e një rregulloreje të brendshme.

“Ka 2 vite që po e kërkojmë, fatkeqësisht deri në fillim të këtij viti me një vendim të Sekretarit të Përgjithshëm është formuar një komision për hartimin e rregullores së brendshme. Nuk kemi ardhur deri tek një përgjigje pozitive e Ministrisë së Kulturës, për arsye se është dashur me vendim të Sekretarit të vijë, sepse kanë qenë disa mospajtime dhe keqkuptime të paarsyeshme”, ka shtuar Gjocaj.

Drejtori i ansamblit “Shota”, konsideron se arkivi nuk është punë që kushton shumë dhe mund të bëhet lehtë nëse ka vullnet të mirë nga Ministria e Kulturës.

“Shpresoj shumë që në rishikim të buxhetit, të paktën edhe një gjysmë premtimi të ministrisë së kulturës ta kemi për këtë, që gjatë rishikimit të buxhetit mbase do të gjendet një formë për një buxhet shtesë për arkiv dhe blerjen e disa mjeteve teknike që janë të domosdoshme jo vetëm për arkivin por edhe për vlerësimin dhe analizën e programeve të cilat na mungojnë”, përfundoi Gjocaj. /lajmi.net

Shefqet Gjocaj, drejtor i Ansamblit "Shota"

YouTube player