Ankand me piktura të fëmijëve prej moshës 5-13 vjeç (Foto)

Ankandi i cili do të mbahet me 23 maj fillon nga ora 17:30, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

ShowBiz

20/05/2016 14:05

Ekspozita e cila është hapur këtë të hënë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, me piktura nga fëmijët e komunitetit shqiptarë që ishin të moshave 5-13 vjeç, vazhdon të qëndroj e hapur deri me 23 maj ku po këtë ditë do të mbahet edhe ankandi për shitjen e këtyre pikturave. Një gjë të tillë e tregoi për KultPlus, Donjetë Jashari e cila është koordinatore e “The Ideas Partnership”, ku njëherësh kjo organizatë joqeveritare është edhe organizatorë bashkë me shoqatën “M-Atelier”, për këtë ekspozitë.

“Të gjitha fondet e mbledhura do të shkojnë për fëmijët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian të cilët vijojnë mësimet në çerdhen e parë të filluar nga vetë këto komunitete në Fushë Kosovë”, tha fillimisht Jashari e cila poashtu tregoi për projektin e çerdhes për fëmijët e këtyre komuniteteve, ku pas një viti e gjysmë që kjo çerdhe funksionon sipas Jasharit numri i fëmijëve që braktisin shkollën ka rënë dukshëm.

“Synim i “The Ideas Partnership”, është që braktisja e shkollës nga fëmijët të evitohet plotësisht, e kjo të bëhet duke filluar edukimin bazë të tyre prej moshave më të vogla”, përfundoi ajo./kultplus