Andoni për deklaratat e Paunoviq: Monstruoze – urrejtje patologjike ndaj Kosovës
Analisti nga Shqipëria, Ben Andoni, duke komentuar deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, për “spastrim etnik” të Kosovës, tha se filozofia politike serbe e klasës aktuale politike ka kaluar deri në urrejtje patologjike në marrëdhëniet me shqiptarët. Ai tha se deklarata e mëpastajme e Ivica Daçiqit, që i doli në mbrojtje bashkëpartiakës së tij në…
Lajme
Analisti nga Shqipëria, Ben Andoni, duke komentuar deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, për “spastrim etnik” të Kosovës, tha se filozofia politike serbe e klasës aktuale politike ka kaluar deri në urrejtje patologjike në marrëdhëniet me shqiptarët.
Ai tha se deklarata e mëpastajme e Ivica Daçiqit, që i doli në mbrojtje bashkëpartiakës së tij në cilësinë e zëvendësministrit, është tregues për politikën aktuale serbe kundrejt shqiptarëve.
“Paradoksi është që zoti Daçiq është shprehur dhe e ka thelluar akoma më shumë narracionin, jo thjesht për vizionin që kanë ata, por për mënyrën se si politika dhe filozofia politike sllave serbe në këto momente është katandisur. Politika e tyre, filozofia e tyre ka qenë e ashpër, e tmerrshme me shqiptarët, por ka pasë një tharm filozofik idhnak ndaj shqiptarëve. Kurse këta që janë tani, jo vetëm idhnakë nuk janë, por këta janë deri në nivele monstruoze, me urrejtje patologjike, që tregon se s’kanë asnjë bazament empatik, kulturologjik, filozofik. Dhe zotëria është shprehur duke dashur të hapë lojën edhe me të tjerë, që pjesëtarët e tjerë e thonë, por nuk e deklarojnë. Ndërsa zonja pati kurajën dhe e tha”, tha ai në Euroneës.
Andoni thotë se deklarata për “spastrim etnik” e Paunoviqit s’u shkëput nga konteksti, por se është me e thellë.
“Zonja është marrë edhe me elemente të tjerë, edhe me familjen e Jasharit dhe mënyrën se si e shikon Kosovën etj. Dhe në këtë sens, çfarëdo që thuhet sot, problemi është jashtëzakonisht i madh, sepse thënia nuk është shkëputur nga konteksti. Bazamenti është shumë i madh, jo thjesht spastrim etnik, por zonja nuk ka parasysh fare konceptet se si ka funksionuar ish-republika federale, siç u katandis. Dhe si ka mundësi nuk ka reflektuar pas 140.000 viktimave që ka krijuar në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Dhe diçka – ajo është ministre e një qeverie që ka marrë përsipër të gjitha borxhet e ish-Jugosllavisë, të gjitha detyrimet e kontratave, dhe një njeri i tillë, i cili përfaqëson këtë qeveri, e cila ka detyrime dhe shprehet në këtë mënyrë, tregon që qeveria e zotit Macut, i cili është viktimë në këto raste, është pothuajse krejt e amullt e njëfarë mënyrë pa shpresë”.
Andoni gjithashtu tha se deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili tha se “kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, ishte e zgjuar.
“Duket se autoritetet shqiptare kanë ruajtur gjuhën diplomatike, e para për të mos i hedhur benzinë zjarrit dhe e dyta edhe për të treguar se Shqipëria ka parametra të lartë diplomatikë dhe nuk merret”, tha Andoni.
Derisa sa Paunoviqin e quajti “patologjikisht me probleme”, Andoni paralajmëroi: “Ne nga serbët duhet të jemi vigjilentë, ne duhet të presim më të keqën nga serbët”.