Analistët: Koalicioni PDK-LDK vazhdon, por jo deri në fund të mandatit

Edhe analisti politik, Blerim Burjani, vlerëson se sado që duket dhe dëgjohen disa zëra kritikë në PDK, karshi mënyrës se si punon Qeveria e kryesuar nga Isa Mustafa, një veprim i shpejtë i ndryshimit me mundësi të shkuarjes në zgjedhje të reja nuk shihet si disponim i shumicës.

Lajme

24/07/2016 11:08

Sipas tij, krejt kjo pavarësisht që PDK-ja ka plane për ta nxjerrë në opozitë partnerin qeverisës LDK-në.

“PDK-ja është shume pasive në qeverisje, e pa vullnet, por edhe plotësisht e painiciativë, dhe tash ende nuk po dihet se çka po e pret këtë koalicion jo shumë funksional”, thotë Burjani.

“E kam përshtypjen se PDK-ja vetëm po pret të kryhen do detyra ndërkombëtare dhe të shkojnë në zgjedhje. Tani po shihet qartë se janë disa nga detyrat që duhet të kryhen si në vijim: Demarkacioni, Asociacioni dhe FAK-u”, ka thënë ai.

Ai konsideron dhe  beson që është një pritje shumë reale, se pa u zgjidhur këto tema nuk ka zgjedhje.

“Madje element tjetër i vazhdimit edhe për disa muaj të këtij koalicioni mund të jetë fakti se ky koalicion ka arritur të akomodojë shumë njerëz të rëndësishëm të këtyre partive nëpër borde të ndërmarrjeve publike, nëpër shumë institucione, që sipas ligjeve dhe Kushtetutës, duhet të jenë të pavarura”, tha analisti Burjani, shkruan gazeta Kosova Sot.

Jo shumë funksional dhe me jetëgjatësi të shkurtër e sheh koalicionin e tanishëm me përplasjet e shpeshta brenda dhe jashtë Parlamentit edhe profesori Muhamet Kelmendi.

Ai thotë se ndikim në prishjen e shpejtë të koalicionit do të ketë vetë kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

“Natyrisht se me ardhjen e Kadri Veselit në krye të PDK-së është pritur ky fërkim politik e karrierist midis LDK-së dhe PDK-së”, është shprehur ai.

“Kadri Veseli nuk ka interes ta vazhdojë koalicionin e tillë të ndërtuar nga Thaçi- Mustafa, por nuk ka as interes që të paraqitet vetë si shkaktar i ndërprerjes së koalicionit ndërpartiak”.

Sipas kelmendit,  në këtë lojë janë edhe këto akuzat e herëpashershme, duke pretenduar që konfliktet të thellohen dhe të përgatitet gradualisht terreni për zgjedhjet e jashtëzakonshme në fund të këtij viti, apo në vitin e ardhshëm.