Ambasadorja turke thotë se sulmet në Stamboll nuk kishin cak kosovarët

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, është pritur në takim nga ministri i Diasporës, Valon Murati, ku kanë diskutuar për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Lajme

06/03/2015 16:01

Në këtë takim u përmend edhe incidenti i ndodhur më 17 shkurt në komunën e Kycykcekmece të Stambollit, gjatë një manifestimi për 7 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Siç ka raportuar edhe lajmi.net ditë më parë, afër sallës ku mbahej manifestimi i organizuar nga shqiptarët në Turqi, për nder të ditës së pavarësisë së Kosovës, në të cilën i pranishëm kishte qenë edhe ministri Murati, disa persona kishin sulmuar sallën ku mbahej manifestimi. Sipas pjesëmarrësve në këtë aktivitet, përleshja kishte vazhduar dhe jashtë sallës, dhe si pasojë kishte pasur edhe të lënduar në mesin e kosovarëve.

Por incidenti i ndodhur, sipas ambasadores Ozan, nuk ka qenë i drejtuar ndaj ministrit e as ndaj festës së Pavarësisë së Kosovës

“Ky incident, në asnjë mënyrë, nuk ka qenë i drejtuar ndaj ministrit Murati, institucioneve të Kosovës apo festës së Pavarësisë së Kosovës dhe assesi ndaj komunitetit të përgjithshëm shqiptar në Turqi”,ka thënë ajo.