Ambasadori italian në Kosovë për dialogun Kosovë-Serbi: Të dy palët të shmangin gjuhën retorike

Antonello De Riu, ambasadori i ri italian në Kosovë, në një intervistë për agjencinë e mediave italiane ‘Nova’ është deklaruar mes tjerash për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajme

08/12/2021 11:55

Ai, ndër të tjera, ka përmendur edhe investimin ekonomik të Italisë në Kosovë, duke e cilësuar si “investim enorm”. Sipas tij, në gjysmën e parë të vitit 2021, tregtia ndërmjet Italisë dhe Kosovës shkoi në 100 milionë euro, një rritje prej 106 për qind krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2020.

De Riu, për çështjen e dialogut, ka kërkuar qasje konstruktive ndaj palës kosovare dhe asaj serbe, duke kërkuar që të shmangen retorikat që mbyllin rrugët për negociata.

“Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një mundësi me rëndësi historike, që të dyja palët tani duhet ta kuptojnë seriozisht, duke u angazhuar me mirëbesim në proces dhe me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje përfundimtare që ndan të kënaqur qytetarët e dy vendeve. Në veçanti, të dyja palët duhet të shmangin retorikë që mbyll hapësirën për negociata dhe kufizon potencialin për ndryshime para dhe pas takimeve”, deklaroi ai për Nova.

Ai përmendi dallimet e shteteve anëtare të BE-së karshi sovranitetit të Kosovës, megjithatë e pa si progres njohjen e 22 prej 27 shteteve të unionit evropian.

“Nuk ka qëndrim unanim, është e vërtetë, por sigurisht që ka një qëndrim të një shumice shumë të madhe: Kosova njihet nga 22 nga 27 shtete të BE-së dhe ndërmjetësimi që po bën Brukseli, përmes Përfaqësuesit Special Miroslav Lajçak, gëzon mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare, pa përjashtim”, deklaroi tutje ai. /Lajmi.net/