Të Infektuar: 9869

Të Shëruar: 5480

Të Vdekur: 303

Ambasadori hungarez: Do t’i kthejmë 99 për qind të migrantëve ilegalë

21:02 | 5 Shkurt 2015

Ambasadori hungarez, Lorant Balla thotë se rrënja e problemit të migrimit qëndron në Kosovë

Kosovarët që kanë kaluar jashtëligjshëm kufirin Serbi-Hungari nuk kanë ikur pa u vërejtur nga policët e këtyre dy shteteve.

Megjithatë, ambasadori hungarez në Kosovë, Lorant Balla tha për RTK-në se autoritetet e sigurisë kufitare në shtetin e tij nuk janë fajtore për ikjet masive. Sipas tij, problemi qëndron në Kosovë.

“Kufiri është me pyje, me përrua, toka pjellore, ta zëmë se për 100 metra ta fusim nga një polic, duhet të jenë 1,000 policë, a jemi në gjendje ta sigurojmë. Ne nuk jemi në gjendje që t`i pengojmë. Nëse Kosova nuk e pengon, atëherë Hungaria si ta pengojë”, tha ambasadori.

Balla ka sugjeruar për autoritetet kosovare që të kontrollojnë linjat e autobusëve që transportojnë qytetarë drejt Serbisë. Ai është i shqetësuar me shifrën e azilkërkuesve kosovarë në Hungari, që tashmë, sipas tij, shkon mbi 20 mijë veta, ndërsa thotë se numri total i atyre që kanë kaluar kufirin serbo-hungarez është shumë i madh.

“Me siguri shifra reale është më e lartë sesa numri i azilkërkuesve, mund të themi që i bie 40 -50 mijë”.

Ambasadori paralajmëron kosovarët se nuk do të arrijnë synimin e tyre, veçse do të ndëshkohen për këtë që po bëjnë.

“Nëse jo 100 për qind, 99 për qind do të kthehen në Kosovë, nëse jo nesër, pas një muaji, pas dy muajve dhe si do të kthehen do të figurojnë në një listë që e ndalojnë hyrjen e tyre në Evropë për disa vite, do të kenë një borxh se strehimoret nuk janë falas, pastaj edhe transporti nuk është falas”.

Balla u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të aplikojnë për viza në mënyrë ligjore, sepse ashtu kanë më shumë gjasë të qëndrimit në Hungari, në të kundërtën, për shkaqe ekonomike azili nuk jepet.