Ambasadori francez: Drafti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese
Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka përsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për dërgimin e draftit të BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Guerot tha inkurajojnë lëvizjen pozitive që do të ndihmonte në përparimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve, duke theksuar rëndësinë…
Lajme
Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka përsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për dërgimin e draftit të BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Guerot tha inkurajojnë lëvizjen pozitive që do të ndihmonte në përparimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve, duke theksuar rëndësinë që Kosova ta çojë në Kushtetuese, draftin evropian.
“Në veçanti theksojmë rëndësinë e Kosovës që ta dërgojë draft-statutin evropian të Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Guerot.
Ai gjithashtu tha se me kolegët nga vendet e QUIN-it dhe BE-në janë të kujdesshëm lidhur me lëvizje të reja të mundshme, e të njëanshme që mund të kenë ndikim serioz në popullatën serbe në veri, veçanërisht sa i përket shëndetësisë dhe arsimit.
I pyetur se si i vlerëson marrëdhëniet e tanishme në mes Francës dhe Kosovës, ambasadori tha se nuk ka ndryshuar aspak përkrahja e vendosur dhe vendimtare e Parisit për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
“Kthimi i Francës në KFOR dëshmon për përkushtimin tonë dhe stabilitetin e rajonit dhe të Kosovës në veçanti. Kemi kontakte të rregullta të nivelit të lartë me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, i cili së fundi ishte në Paris për një forum ekonomik bilateral deh ku kishte një takim me z.Benjamin Haddad. Disa nga projektet kyçe të zhvillimit të vendit dhe integritetit të tij evropian, shpresoj se do të konkretizohen së shpejti me ndërmjetësim të BE-së”, shtoi ambasadori, transmeton lajmi.net.
Ambasadori gjithashtu tha se Franca e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për lejimin e mallrave serbe përmes pikës kufitare në Merdare.
“Situata në kufi nuk është tërësisht e kënaqshme, për shkak të kontrolleve të shtuara të sigurisë që shkaktojnë pritje të gjata në kufi. Duhet të hapen më shumë vendkalime dhe të gjitha pengesat, përfshirë këtu barrierat jo doganore, duhet të hiqen, ose zbuten në përputhje me obligimet e Kosovës në CEFTA. Krijimi i një tregu të integruar rajonal është mënyra më e mirë që ekonomitë rajonale të përgatiten për integrimin e tyre evropian.
“Franca mbështet fuqishëm përpjekjet e ndërmjetësuesve evropian për dialogun. Marrëveshja e Brukselit dhe aneks marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohen sa më shpejt nga të dyja palët. Këto marrëveshje janë ligjërisht të detyrueshme dhe zbatimi i tyre është përfshirë në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit me Serbinë, si dhe në zbatimin e marrëveshjes së Asocimit dhe Stabizilimit në Kosovë si dhe zbatimi i tyre do të jetë vendimtar për integrimin evropian të Serbisë në Kosovë”./Lajmi.net/