Ambasadori francez: Bllokada politike po e zvarrit Kosovën drejt BE-së dhe po rrezikon fondet evropiane

Në javën e tij të fundit si ambasador i Francës në Kosovës, Olivier Guérot, dha mesazhe të direkte lidhur me sfidat e sigurisë, ngecjen në dialog dhe pasojat e rënda të bllokadës së brendshme politike në procesin e integrimit evropian. Në një intervistë për Klan Kosova, diplomati francez u shpreh ndër tjera se bllokada politike…

Lajme

30/08/2026 11:32

Në javën e tij të fundit si ambasador i Francës në Kosovës, Olivier Guérot, dha mesazhe të direkte lidhur me sfidat e sigurisë, ngecjen në dialog dhe pasojat e rënda të bllokadës së brendshme politike në procesin e integrimit evropian.

Në një intervistë për Klan Kosova, diplomati francez u shpreh ndër tjera se bllokada politike që po vazhdon prej më shumë se dy vitesh po e penalizon rëndë vendin në skenën ndërkombëtare dhe po e ngadalëson rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Rreziku i stagnimit dhe humbja e fondeve

Ambasadori Guérot paralajmëroi se Kosova rrezikon të mbetet prapa vendeve të rajonit si Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat po lëvizin konkretisht drejt synimit për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.

Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë kanë nevojë për institucione funksionale me të cilat mund të bashkëpunojnë.

Ai veçoi si shembull konkret Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian me vlerë prej 6 miliardë eurosh, ku Kosova kishte treguar gatishmëri fillestare me një listë cilësore reformash, por që tani po përballet me dëme financiare.

“Për shkak të bllokadës, Kosova me të vërtetë është zvarritur prapa dhe ka humbur një pjesë të parave që ishin ndarë për të në këtë pako të madhe me 6 miliardë euro, si dhe po rrezikon të humbë edhe më shumë,“ deklaroi Guérot.

Zbatimi i zotimeve të marra

Duke folur për çështjen e sigurisë dhe vendimin e fundit të KFOR-it për të optimizuar praninë në Urën kryesore të Mitrovicës dhe Manastirin e Deçanit, Guérot e vlerësoi këtë si shenjë pozitive që dëshmon se situata është më e qetë, ndonëse mbetet ende e brishtë.

Lidhur me kërkesat për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, diplomati francez tha se procesi i vendimmarrjes kërkon maturi dhe përfshirje të gjerë.

“Ura veçse është e hapur për këmbësorë. Pyetja nëse duhet të hapet për automjete duhet të diskutohet me hisedarët relevantë. Procesi që shpie në vendim është ndoshta më i rëndësishëm sesa vetë vendimi dhe duhet të bëhet në konsultim me të gjithë,“ tha ambasadori francez.

Për sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Guérot kërkoi kthim te zotimet e marra, veçanërisht te Marrëveshja e Ohrit, të cilën e cilësoi si marrëveshje formale dhe ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët.

Ai shprehu keqardhje që potenciali i kësaj marrëveshjeje aktualisht mbetet i bllokuar.

Duke iu referuar përvojës historike të vendit të tij, Guérot theksoi se pajtimi është i arritshëm edhe pas periudhave të errëta të konfliktit.

“Nëse ia kemi dalë ne me gjermanët, përkundër lumenjve me gjak që janë derdhur për një shekull, edhe vendet e tjera mund ta bëjnë. Është e mundur. Nuk ka qenë e lehtë as për Francën e as për Gjermaninë, siç e kuptoj që nuk është e lehtë as për Serbinë e as për Kosovën,“ u shpreh ai.