Ambasadori belg pa koment, Rakiq demanton Bahtirin

Kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq ka qëndruar të mërkurën pothuajse gjatë gjithë kohës së vendosjes së pishave, hedhjes së dheut dhe mbjelljes së barit mbi urën kryesore, duke e quajtur gjithë këtë punë si “park të paqes”, që sipas tij do të shërbejë për qytetarët e Mitrovicës pa dallim.

Lajme

18/06/2014 21:01

Ai ka thënë për KosovaPress se ka kërkuar nga kryetari i jugut të këtij qyteti që të ndërmarrë një veprim të njëjtë në cepin jugor të urës, sepse, siç u shpreh, qytetarët kanë nevojë për një besim mes vete dhe asgjë nuk kontribuon më shumë sesa një park i tillë i paqes, apo i dashurisë.

Vendimin për ndërtimin e një parku të tillë e kam marrë në konsultim me Qeverinë e Serbisë, si një porosi për mbarë botën se këtu mund të jetojmë të gjithë qetë dhe më mirë”, ka thënë ai.

Rakiq ka demantuar kryetarin e jugut të Mitrovicës, Agim Bahtiri, rreth ndonjë marrëveshje mes këtyre dyve për heqjen e mbrëmshme të barrikadës.

“Nuk kam biseduar absolutisht me Bahtirin për heqjen e barrikadës”, ka thënë shkurt Rakiq.

Sipas tij, ky park mbi urën e Ibrit nuk e pengon lëvizjen e lirë, sepse anash ka mjaft hapësirë për lëvizje të qytetarëve, ndërsa ata që dëshirojnë të qarkullojnë me automjete mund t’i shfrytëzojnë rrugët lindore dhe perëndimore të qytetit, sikurse deri tani.

Të mërkurën ambasadori i Belgjikës në Kosovë, Pascal Gregoire ka vizituar urën kryesore mbi Ibër, duke u shprehur i habitur me krejt atë që po ndodhë mbi urë. Sa i përket vendosjes së pishave mbi urë, të ashtuquajtur “ park i paqes”, ai tha se nuk është absolutisht i informuar dhe se nuk ka koment.

“Kam biseduar më herët me drejtorin e Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, i cili më ka thënë se sigurisht këto janë lëvizje politike. Kjo e pengon lëvizjen e lirë por mbase sonte, nesër apo edhe pasnesër kjo edhe mund të hiqet”, ka thënë për Kosovapress ambasadori Gregoire, duke shtuar se ky park megjithatë ka një simbolikë të mirë.