Ambasadori amerikan në Shkup, komunitetet po thellojnë ndasitë

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Paul Wohlers ka bërë një tjetër deklaratë publike, ndoshta të fundit në këtë cilësi, me të cilën bën thirrje për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Lajme

15/01/2015 21:53

Pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, ambasadori në largim tha se ekziston nevoja e përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike, pasi dy komunitetet më të mëdha po thellojnë ndasitë, në vend se të afrohen.

“Prandaj është shumë e rëndësishme për Maqedoninë që ta zgjidhë këtë çështje. Qeveria por edhe opozita e partitë shqiptare duhet të punojnë së bashku sepse është problem i përgjithshëm që nuk mund të zgjidhet nga një person. Të gjithë qytetarët, është me rëndësi, që të jenë besnikë dhe të punojnë për të mirën e Maqedonisë, por, nga ana tjetër, edhe shteti duhet të jetë besnikë ndaj qytetarëve dhe të punojë për ta, në të mirë të tyre”, tha Wohlers, transmeton Alsat.

Ai u ndal edhe te çështja e integrimeve dhe tha se zgjidhja e emrit dhe sundimi i së drejtës janë parakushtet për t’u anëtarësuar në strukturat euroatlantike.

“Çelësi për të ecur drejt BE-së dhe NATO-s është zgjidhja e çështjes së emrit. Është shumë e rëndësishme që të mos dorëzoheni. E di që disa njerëz janë të dekurajuar, bëhen cinikë, disa janë të shqetësuar se nuk janë në NATO dhe me të drejtë janë të shqetësuar.. Edhe ne jemi të shqetësuar. Ne duam që Maqedonia të jetë në NATO sa më shpejt, ne do ta vazhdojmë të punojmë fuqishëm, do të shikojmë se çfarë do të ndodhë në Athinë pas zgjedhjeve, por unë jam optimist se në një periudhë të ardhshme do të arrihet sukses, sepse nuk ka alternativë tjetër – kjo është e ardhmja e Maqedonisë”, deklaroi Wohlers.

Ambasadori amerikan do të zëvendësohet nga diplomati i karrierës Jess Bailey.