Ambasadorët Shqiptarë: Kosova ka nevojë për një opozitë të fortë dhe konstruktive

Këshilli i Ambasadorëve të Shqipërisë ka uruar popullin e Kosovës për procesin e qetë dhe demokratik të zgjedhjeve të 14-shkurtit. Ai ka thënë se pas rezultatit të zgjedhjeve, vendi ka nevojë për një opozitë të fortë dhe konstruktive, derisa shton se fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj, do jenë bartëse dhe frymëzuese të interesave të votuesve.

Lajme

15/02/2021 19:49

Përmes një komunikate, Këshilli shkruan se zgjedhjet kanë dëshmuar se proceset demokratike në Kosovë po përparojnë dhe populli kosovar votoi në mënyrë të qetë.

“Lëvizja për Vetëvendosje (LVV) si fituese e këtyre zgjedhjeve po përballet me sfidën për të ndërtuar një konsensus të ri në Kosovë, si një shtet funksional i mbështetur në proceset demokratike. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh besimin se të gjitha palët që do të shkojnë në opozitë, do të bëjnë një analizë të shëndetshme të rezultatit dhe do të mësojnë nga mësimet e nevojshme udhëzuese”, thuhet tutje.

Këshilli i Ambasadorëve tutje shkruan se qeveria e re duhet të investojë në rrugën euroatlantike, të një shteti të zhvilluar, ku drejtësia sociale dhe sundimi i ligjit do jenë parësore.