Ambasada amerikane: Senatorja Ernst u njoftua mbi dinamikat aktuale, theksuam rëndësinë e një marrëdhënie konstruktive midis ShBA-së dhe Kosovës

Ambasada amerikane në Kosovë është deklaruar në lidhje me vizitën e senatores amerikane, Joni Ernst në Kosovë. Ambasada njoftoi se kjo vizitë në Kosovë ka përfunduar pas disa takimeve që pati me drejtuesit e institucioneve në vendin tonë, si dhe takimin me trupat e Iowa-s në “Film City”, Ambasada amerikane njoftoi se senatorja Ernst po…

Lajme

12/08/2026 10:41

Ambasada amerikane në Kosovë është deklaruar në lidhje me vizitën e senatores amerikane, Joni Ernst në Kosovë.

Ambasada njoftoi se kjo vizitë në Kosovë ka përfunduar pas disa takimeve që pati me drejtuesit e institucioneve në vendin tonë, si dhe takimin me trupat e Iowa-s në “Film City”,

Ambasada amerikane njoftoi se senatorja Ernst po ashtu pati nderin të merrte Medaljen Presidenciale të Meritës së Kosovës, transmeton lajmi.net.

Në fund, ambasada tha se angazhimet produktive të senatores ofruan informacione të vlefshme dhe të drejtpërdrejta mbi dinamikat aktuale në Kosovë.

“Theksuam rëndësinë e një marrëdhënie konstruktive midis ShBA-së dhe Kosovës”,deklaroi ambasada amerikane.

Ndryshe situata politike në Ksovoë vazhdon të jetë krejtësisht e turbullt. Kjo pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet pasi kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi vazhdimisht kohë shtesë sipas tij për t’u dakorduar me partitë e tjera politike për çështjen e presidentit.

Kësisoj në Kuvend është bërë vetëm betimi i deputetëve nga legjislatura e 11-të ndërsa nuk u vazhdua me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe votimin e kryekuvendarit.

Kurti ftoi në takim liderët e partive politike, por nuk u arrit asgjë.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza refuzoi ftesën dhe tha se do vazhdojnë të jenë në opozitë kurse Lumir Abdixhiku i LDK-së takoi disa herë Kurtin, por tha se ofertat që iu bën ishin të pamjaftueshme për partinë e tij.

LDK synon ta ketë presidencën, por Kurti në fakt u ofroi që ta kenë disa ministri dhe zv/kryeministrin.

Kurse PDK-së ia ofroi si mundësi që të marrin drejtimin e Kuvendit.

Gjatë kësaj kohe nga Aleanca kanë refuzuar kategorikisht takimet me Kurtin, derisa Ardian Gjini deklaroi se në fakt Kurti duhet t’i plotësojë 6 pikat të cilat ua ka vendosur më herët e që një prej tyre është gazi amerikan.

Kurse sot AVONET, së bashku me 13 organizata të tjera të shoqërisë civile, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesë për ndërmarrjen e veprimeve sipas detyrës zyrtare lidhur me zbatimin e Aktgjykimit KO124/25.Kërkesa është dorëzuar pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026.

Sipas rezultateve përfundimtare, të certifikuara më 8 korrik 2026, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht 2026.Në Aktgjykimin KO124/25, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përbën detyrim kushtetues dhe se brenda këtij afati duhet të përfundojnë të gjitha veprimet kushtetuese që çojnë në konstituimin e plotë të Kuvendit.Sipas këtij interpretimi, mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit nuk nënkupton se Kuvendi është konstituuar.

Në këtë rast, seanca konstituive e mbajtur më 6 gusht 2026 nuk ka përfunduar me konstituimin e plotë të Kuvendit, ndërsa vazhdimi i saj ishte caktuar për 8 gusht, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor.Për këtë arsye, AVONET dhe organizatat nënshkruese i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit kushtetues./Lajmi.net/