Altin Krasniqi i drejtohet ambasadorit gjerman: Nuk ju detyrohemi heshtje dhe bindje – nuk ka kalkulime diplomatike me heronjtë tanë

Deputeti i PDk-së dhe djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka reaguar përmes një postimi të gjatë drejtuar ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, duke kërkuar transparencë lidhur me një vizitë të raportuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Krasniqi ka ngritur dyshime se vizita mund të ketë lidhje me ndryshimet e fundit që Kuvendi…

Lajme

09/10/2026 19:00

Deputeti i PDk-së dhe djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka reaguar përmes një postimi të gjatë drejtuar ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, duke kërkuar transparencë lidhur me një vizitë të raportuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Krasniqi ka ngritur dyshime se vizita mund të ketë lidhje me ndryshimet e fundit që Kuvendi i Kosovës ka bërë në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai ka kërkuar që arsyet dhe përmbajtja e kësaj vizite të bëhen publike, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të vendit, raporton lajmi.net

“Askush nuk ka të drejtë ta trajtojë Kosovën si një vend ku institucionet e pavarura duhet të kërkojnë leje nga ambasadat e huaja për të ushtruar kompetencat e tyre kushtetuese”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i tij i plotë:

AMBASADOR RAINER RUDOLPH,
ÇFARË ËSHTË DREJTËSIA PËR JU DHE PËR SHTETIN QË PËRFAQËSONI?
Në media është bërë publik lajmi për një vizitë të paparalajmëruar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Kam arsye të forta të besoj se kjo vizitë lidhet me “shqetësimin tuaj të thellë” për ndryshimet që Kuvendi i Kosovës i bëri ditë më parë në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në një përgjigje për REL-in, zëdhënësja juaj, Catalina Heine, deklaroi se: “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur, i themeluar në bazë të ligjit të Kosovës dhe i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës”.
Pikërisht! Por, nëse pavarësia e institucioneve është parim që duhet respektuar, atëherë ky parim vlen edhe për institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin tonë: Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Prandaj, presim që arsyet dhe përmbajtja e kësaj vizite të bëhen publike sa më parë. Në të kundërtën, është e ligjshme të shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë me një përpjekje për të ndikuar apo për të ushtruar presion mbi institucionin tonë më të lartë kushtetues dhe, rrjedhimisht, mbi vullnetin e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës.
Askush nuk ka të drejtë ta trajtojë Kosovën si një vend ku institucionet e pavarura duhet të kërkojnë leje nga ambasadat e huaja për të ushtruar kompetencat e tyre kushtetuese.
Por, zoti ambasador, le të kthehemi te pyetja thelbësore:
ÇFARË ËSHTË DREJTËSIA PËR JU DHE PËR SHTETIN QË PËRFAQËSONI?
Më 20 maj 2024, prokurori i atëhershëm i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, kërkoi lëshimin e urdhërarresteve ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe liderit të Hamasit, për shkak të dyshimeve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Më 21 nëntor 2024, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarrestet përkatëse.
Megjithatë, ky urdhërarrest nuk e pengoi kancelarin tuaj, Friedrich Merz, që më 24 shkurt 2025, kur ishte ende kancelar i emëruar, të deklaronte se e kishte ftuar Benjamin Netanyahun në Gjermani dhe se do të gjente një mënyrë që ai të mund ta vizitonte vendin pa u arrestuar.
Këtë zotim, kancelari juaj e bëri duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se Gjermania është shtet palë në Statutin e Romës dhe, si e tillë, ka detyrime në raport me Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Prandaj, zoti ambasador, pyetja është e pashmangshme: A është ligji i barabartë për të gjithë, apo zbatohet me ashpërsi ndaj të dobëtëve dhe anashkalohet kur përballë tij qëndrojnë të fuqishmit?
A vlejnë ligji dhe standardet morale vetëm për ata që nuk kanë fuqi politike, ndërsa për të tjerët gjenden përjashtime, justifikime dhe rrugëdalje?
Nëse drejtësia është vërtet parim universal, ajo nuk mund të zbatohet sipas interesave të fuqive të mëdha, aleancave politike apo kalkulimeve diplomatike. Drejtësia ose është e barabartë për të gjithë, ose shndërrohet në instrument të pushtetit.
Nëse shqetësimi juaj është drejtësia dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, atëherë pse heshtët kur Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi refuzuan të takoheshin me Avokatin e Popullit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Pietro Spera, duke shprehur rezerva serioze për njëanshmërinë e tij dhe duke vënë në pikëpyetje besimin e tyre në këtë institucion?
Pse heshtët kur ekipet mbrojtëse ngritën vazhdimisht shqetësime për njëanshmërinë e gjyqtarëve dhe për cenimin e të drejtave të të akuzuarve?
Pse nuk pati të njëjtin shqetësim publik kur u ngritën pretendime dhe polemika serioze lidhur me të kaluarën e gjyqtarit të EULEX-it, Charles Smith, dhe vendimet e tij në Kosovë?
Si mund të kërkohet nga qytetarët e Kosovës besim i pakushtëzuar në drejtësinë e institucioneve ndërkombëtare, kur vetë prania e të njejtëve në vendin tonë ka prodhuar raste dhe vendime që kanë ngritur pikëpyetje të mëdha?
Pse heshtët edhe kur u publikuan raporte ndërkombëtare që ngritën shqetësime për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe standardeve të procesit të rregullt ligjor?
Pse standardi i llogaridhënies bëhet kaq i rreptë kur flitet për institucionet e Kosovës, por kaq i heshtur kur vihen në pikëpyetje veprimet e institucioneve ndërkombëtare?
Dua ta bëj të qartë një gjë: jam thellësisht mirënjohëse për ndihmën dhe kontributin që shteti juaj i ka dhënë Kosovës. Mirëpo, mirënjohja për mbështetjen e së kaluarës nuk nënkupton heqje dorë nga drejta jonë për të kërkuar drejtësi.
Ne nuk ju detyrohemi heshtje. Nuk ju detyrohemi bindje. Dhe, mbi të gjitha, nuk ju detyrohemi të pranojmë çdo vendim si të drejtë vetëm sepse vjen nga një institucion ndërkombëtar.
Nuk e lejojmë shkëmbimin e prindërve tonë për kalkulimet diplomatike. Heronjtë tanë nuk mund të shndërrohen në mjete për të krijuar ekuilibra politikë me Serbinë, pavarësisht intereave ndërkombëtare.
Ne besojmë se dënimet ndaj krerëve të UÇK-së janë rezultat i një procesi të mbështetur në interpretime të kontestuara të provave, në pretendime dhe në një qasje që familjet dhe mbështetësit e tyre e konsiderojnë thellësisht të padrejtë. Këto shqetësime meritojnë përgjigje serioze, jo heshtje dhe jo presion diplomatik.
Ju mund t’i ndani qëndrimet e fuqive të mëdha. Mund të zgjidhni të mos i kundërshtoni interesat e tyre. Por nuk keni të drejtë ta trajtoni Kosovën si një shtet që duhet të heshtë sa herë që interesat tuaja politike përplasen me të drejtën tonë për të vendosur vetë.
Dhe aq më pak keni të drejtë të ndërhyni, drejtpërdrejt apo tërthorazi, në punën e institucioneve tona të pavarura.
Prandaj, zoti ambasador Rainer Rudolph, kërkojmë transparencë, respekt për institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njëjtin standard drejtësie për të gjithë.
Institucionet tona janë ndërtuar mbi sakrificën e popullit tonë, mbi përpjekjet për liri dhe mbi gjakun e shqiptarëve që dhanë jetën për një Kosovë të lirë e të pavarur.
Prandaj, askush nuk ka të drejtë të sillet sikur kjo liri na është dhënë për të na u mohuar sot e drejta për të vendosur vetë e për të kërkuar drejtësi./Lajmi.net/