Krasniqi: Pavarësisht dallimeve, partitë politike duhet të ulen dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët
Altin Krasniqi, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe djali i figurës së njohur politike, Jakup Krasniqi, ka folur për përvojën e tij të parë si ligjvënës në një nga legjislaturat më sfiduese në historinë e Kosovës. Në një intervistë për KosovaPress, ai zbuloi se ndërsa hyrja në politikë fillimisht dukej…
Lajme
Altin Krasniqi, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe djali i figurës së njohur politike, Jakup Krasniqi, ka folur për përvojën e tij të parë si ligjvënës në një nga legjislaturat më sfiduese në historinë e Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, ai zbuloi se ndërsa hyrja në politikë fillimisht dukej e lehtë, realiteti u përball me një bllokadë institucionale që ia vështirësoi ndjeshëm punën.
“Fillimet e mia politike kanë qenë pak, në fillim kanë qenë të lehta, por gjatë marrjes së mandatit, ëh, bllokada e ka krijuar një vështirësi të ngritjes time politike. Kam menduar që pas krijimit të institucioneve do ta kem më të lehtë zhvillimin tim ndaj qytetarëve, por bllokada e ka krijuar një vështirësi që të kontribuoj në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, shprehet Krasniqi.
Ai thekson se kjo situatë e pamundësoi që të kontribuonte në përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke e bërë përvojën e tij të parë parlamentare tejet frustruese. Duke qenë pjesë e asaj që u cilësua si një legjislaturë tejet problematike, Krasniqi e përshkruan pozitën e deputetit si një “përgjegjësi shumë e madhe” dhe një “nder”.
Megjithatë, ai rithekson se “pamundësia për t’i shërbyer në mënyrën më të mirë të mundshme” ia ka vështirësuar tërësisht qasjen politike.
I rritur në një familje me traditë të fortë politike, Krasniqi pranon se emri i babait të tij ia ka lehtësuar hyrjen në skenë.
“Emri i babait tim më ka bërë më të lehtë futjen time në politikë, sepse është i njohur prej gjithë skenës politike por edhe qytetarëve. Ka qenë e lehtë mbështetja e qytetarëve për mua, por përgjegjësia ëh, është edhe më e madhe kur je djali i një personaliteti të madh, siç është babai im”, theksoi ai.
Duke reflektuar mbi klimën politike, Krasniqi bën thirrje për tejkalimin e asaj që e quan “zymti” dhe “mjegull politike”. Sipas tij, partitë politike, pavarësisht dallimeve, duhet të ulen dhe të gjejnë mundësi bashkëpunimi për të mirën e vendit, duke lënë mënjanë urrejtjen dhe përçarjen.
“Po. Unë jam rritur me politikë, babai gjithmonë ka qenë pjesë e politikës dhe normal që edhe në familjen tonë, deshëm apo s’deshëm, jemi qenë të inkuadruar në zhvillimet politike të vendit. Edhe pse kam qenë i ri e kam parë babain duke i shërbyer vendit në, në shtet-ndërtim, por asnjëherë më parë nuk kam parë një bllokadë kaq të ëh, pa rëndësishme, ku mendoj që partia e parë ka pasur mundësinë të gjejë marrëveshje, të bëjë kompromis. Ëh, e di rrugëtimin e babait tim dhe gjatë rrugëtimit të tij gjithmonë ka pasur ëh marrëveshje dhe bashkëpunime mes partive, pavarësisht dallimeve politike që i kam pasur. Por kësaj here ka qenë ndryshe, edhe mendoj që pa u larguar kjo zymti, kjo mjegull që është krijuar në…Një verbësi politike që është krijuar, është problem që ne të krijojmë një shtet më demokratik”, thekson ai.
Ai gjithashtu argumenton se fokusi i diskursit publik duhet të ndryshojë. Sipas tij, sot nuk duhet me qenë problem lufta kundër Serbisë. Ai tha se sot Kosova ka probleme reale si migrimi i të rinjve dhe rritja e çmimeve.
“Lufta kundër Serbisë ka përfunduar në ’99-ën. Sot kemi problem me migrimin e të rinjve, kemi problem me rritjen e çmimeve. Edhe këto duhet me qenë fokusi kryesor i një qeverie dhe i një kryeministri të duhur për vendin”, theksoi Krasniqi.
Për këto çështje, ai ka shtuar duhet të jenë prioritetet e çdo qeverie. Pavarësisht sfidave, ai mbetet i përkushtuar, duke besuar se të rinjtë kanë obligim të marrin përgjegjësi për të ndryshuar mentalitetin politik në vend./kp