Aliu: Kontrata kolektive, padrejtësia më e madhe ndaj komunave

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka kërkuar nga ministri i Pushtetit Lokal, Ebert Krasniqi që të qartësohet përgjegjësia buxhetore e kontratës kolektive.

Lajme

21/04/2021 15:49

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka kërkuar nga ministri i Pushtetit Lokal, Ebert Krasniqi që të qartësohet përgjegjësia buxhetore e kontratës kolektive, duke shtuar se kjo kontratë është padrejtësia më e madhe që u është bërë komunave.

Aliu tha Kontrata Kolektive është sfidë për komunat e Kosovës, dhe kërkoi nga ministri që të bëhet një zgjidhje ku do të qartësohet përgjegjësia buxhetore.

“Me ministrin diskutuam edhe për kontratën kolektive dhe të merret përgjegjësia e qartë buxhetore mbi pengesat e zhvillimit të projekteve si pasojë e kësaj Kontrate Kolektive”, tha ai në konferencën për medie pas takimit me ministrin.

Ai përmendi edhe temat tjera me të cilat biseduan ku si sfidë përmendi pandeminë, por edhe çështjen e pronave e cila tha se po i pengon në realizmin e investimeve.

Ai po ashtu tha se edhe ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka qenë sfiduese për komunat.

“Sfida kryesore e kryetarëve të komunave ka qenë stabilitetit jo qeverisës, pasi për një mandat ne kemi ndërruar katër qeveri, po ashtu sfidë ka qenë edhe pandemia .Janë edhe çështjet tjerat që kanë të bëjnë me pronat dhe morë zotimin e ministrin që këto problematike të adresohen”, tha Aliu.