Aleatë, jemi aleatë

Isa Mustafa thotë se aleanca e LDK’së me qytetarët e Kamenicës do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm. Ndërsa Shaip Surdulli premton se Rogana do të bëhet komunë.

Lajme

22/10/2013 13:24

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë sot në Kamenicë që aleanca e kësaj partie me qytetarët e kësaj komune do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Mustafa dhe kandidati i LDK’së për Kryetar të Komunës, Shaip Surdulli, bashkëbiseduan me banorët e fshatrave Topanicë, Roganë, Muqivercë dhe Karaçevë e Epërme dhe e Poshtme

Sipas Mustafës, alternativa qeverisëse e LDK’së u përgjigjet nevojave të qytetarëve të krejt Kosovës, ndërsa premtoi qeverisje në mënyrë demokratike e transparente.

Ai tha se zgjedhja më e mirë për banorët e këtij fshati dhe komunës së Kamenicës është kandidati Shaip Surdulli, i cili është aktualisht Kryetar i Komunës.

“Kryetari Shaip Surdulli është treguar i përgjegjshëm. Ka punuar me ekipin e tij në të gjitha fshatrat e Kamenicës dhe në qytet. Vendimi ju takon ju ta merrni, ne shpresojmë se do ta vazhdoni traditën e besimit në programin dhe njerëzit e LDK’së”, tha Mustafa.

Mustafa dhe Surdulli bënë homazhe te Lapidari i dëshmorëve Emin e Selver Kryeziu, të rënë në Betejën e Koshares si ushtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK’së.

Nga ana e tij, Shaip Surdulli theksoi se Rogana i plotëson kushtet për t’u bërë komunë dhe do bëhet gjatë qeverisjes së LDK’së.

Ndërsa në Muqivercë, Mustafa dhe Surdulli shprehën bindjen se aleanca e LDK’së me qytetarët do të vazhdojë, ndërsa theksuan se për realizimin e premtimeve garanci do të jetë edhe qeverisja e ardhshme e Kosovës, e cila do të drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.