Aleancë për Shqiptarët

Edi Rama thotë se ka sjell në Prishtinë zotimin për të bërë gjithçka që nga bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë të përfitojnë gjithë shqiptarët. Sipas tij, tashmë është hapur një epokë e re për rajonin. Shpjegoi edhe termat \"mik\" e \"vëlla\" për Thaçin.

Lajme

13/09/2013 10:37

Kryeministri i ri Shqiptar, Edi Rama, është shprehur i emocionuar në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Hashim Thaçi, në Prishtinë.

Ai tha se asnjëherë nuk ka qenë më i emocionuar në një takim me gazetarë, por se do të jetë edhe më shumë në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës.

Rama është zotuar për një bashkëpunim të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa ka veçuar sidomos fushën e ekonomisë – ku dy vendet kanë hapësirë për të rritur edhe më shumë bashkëpunimin e tyre.

“Është shumë emocionuese për mua dhe për gjithë ekipin me të cilin kam ardhur në Prishtinë për të shënuar një kapitull të ri dhe për të hapur procesin e një harmonizimi të interesave tona të përbashkëta, në funksion të mirëqenies së të gjithë shqipëtarëve këndej dhe andej kufirit”.

“Do të bëjmë gjithçka për një bashkëpunim ku do të përfitojnë të gjithë shqiptarët”.

“Horizonti është hapur falë kurajos së lidershipit të Kosovës me Marrëveshjen e arritur me Serbinë, që është një marrëveshje që përfundimisht ka përmbyllur historinë e përgjakshme dhe inercinë paralizuese të ish-Jugosllavisë dhe ka hapur një faqe te historisë të re, që varet nga ne, në rradhë të parë, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës se si do shkruhet – si një histori ku paqja do sjellë zhvillimin ekonomik dhe social për të gjithë”.

“Ne kemi rënë dakord që në nëntor të bëjmë mbledhjen e parë të përbashkët të të dyja qeverive  tona dhe të fillojmë procesin e bashkëqeverisjes strategjike. Ministrat janë të obliguar që të japin llogari për projektet e përbashkëta, përpara dy Qeverive”.

“Ne jemi të gatshëm t’i shtrijmë dorën bashkëpunimit afatgjatë, të gjithëve në këtë rajon”.

“Unë e shoh Kosovën si një shtet 5 vjeç që ka çfarë t’i mësojë një shteti 101 vjeç, që Qeveria jonë përfaqëson, një shoqëri që ka bërë progres të jashtëzakonshëm në shtetndërtim dhe si një hapësirë ku funksionon më mirë se në Shqipëri demokracia e çdo ditë. Kështu e shoh unë Kosovën sot”.

“I kam sjell Thaçit zotimin e aleancës tonë për të bërë gjithçka që nga ky bashkëpunim të përfitojnë gjithë shqiptarët”.

“Ne jemi të gatshëm t`i shtrijmë dorën e bashkëpunimit të gjithëve në rajon që vazhdon të mbetet jashtë Europës”.

Kryeministri Hashim Thaçi, po ashtu, deklaroi se me Kryeministrin Rama kanë diskutuar për bashkëpunimin e ardhshëm mes dy vendeve.

“Ne kemi inkurajuar që marrëveshjet që janë në proces të përmbyllen sa më shpejt. Natyrisht të hapet edhe mundësia e marrëveshjeve të reja, dhe mundësisht ato çështje që janë diskutuar edhe më herët të përmbyllen. Të mos mbesin në gjysmë të rrugës por të konkretizohen”.

“Do të punojmë maksimalisht në frymën evropiane. Do të punojmë maksimalisht për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon. Ne kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjithë liderët politikë të shqiptarëve kudo që jetojnë qoftë në Maqedoni, qoftë në Preshevë, qoftë në Mal të Zi”.

“Me theks të veçantë dikutuam rëndësinë që edhe shteti i Kosovës të përfshihet  në rrjetin e Gazsjellësit Trans Adriatik. Mora zotimin nga kryeminstri Rama, se  do të angazhohet personalisht me ministrat përkatës që Kosova të jetë e përfshirë në këtë projekt”.

“Gjithashtu falënderoj gjithë spektrin politik shqiptar për kontributin që ka dhënë sa i takon bisedimeve me Serbinë.”

Kryeministri Thaçi, gjatë fjalës së tij, e quajti mik Edi Ramën. Për këtë, atij iu bë një pyetje nga gazetarët – pse Kryeministrin Turk Erdogan e kishte quajtur “vëlla”, ndërsa Kryeministrin Shqiptar po e quante “mik”.

Rama, duke buzëqeshur, i doli në ndihmë mikut – duke pohuar se Thaçin e ka mik e vëlla, prandaj edhe  vëllai i Thaçit (Erdogan) është edhe vëlla i tij.