Aleanca nuk i shkon Kurtit në takim, Gjini tregon arsyen
Aleanca ka bërë publik një vendim zyrtar drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku rithekson qëndrimin e saj lidhur me procesin e krijimit të institucioneve të reja. Në letrën e nënshkruar nga kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, thuhet se Aleanca është e gatshme të ndihmojë në sigurimin e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit, pa…
Lajme
Aleanca ka bërë publik një vendim zyrtar drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku rithekson qëndrimin e saj lidhur me procesin e krijimit të institucioneve të reja.
Në letrën e nënshkruar nga kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, thuhet se Aleanca është e gatshme të ndihmojë në sigurimin e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit, pa kushte personale apo kërkesa për poste, por vetëm nëse mandatari për formimin e Qeverisë pranon gjashtë pikat e ofertës së paraqitur publikisht më 26 qershor 2026, raporton lajmi.net

Sipas dokumentit, qëllimi i ofertës është përshpejtimi i zhvillimit ekonomik, forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe shmangia e zgjedhjeve të reja.
Në përfundim të letrës, Aleanca thekson se, duke pasur parasysh qëndrimin e saj të qartë dhe parimor, nuk e sheh të nevojshëm zhvillimin e takimit me Kurtin.
Vendimi i Aleancës i publikuar nga kryetari Gjini:
“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme pa kushte ose kërkesa vetjake të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin.”/Lajmi.net/