PDK me komunikatë zyrtare, konfirmon takimin me Kurtin: Presim plan konkret për krijimin e institucioneve

Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se kryetari i saj, Bedri Hamza, do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që do të mbahet nesër. Përmes një komunikate pas mbledhjes së Kryesisë, PDK bëri të ditur se e trajton me seriozitet çdo kërkesë zyrtare dhe se Hamza do të…

Lajme

09/07/2026 17:44

Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se kryetari i saj, Bedri Hamza, do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që do të mbahet nesër.

Përmes një komunikate pas mbledhjes së Kryesisë, PDK bëri të ditur se e trajton me seriozitet çdo kërkesë zyrtare dhe se Hamza do të marrë pjesë në takim për të dëgjuar propozimin konkret të Kurtit për tejkalimin e krizës institucionale, transmeton lajmi.net.

PDK ritheksoi se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje, duke kërkuar që Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës parlamentare.

Partia theksoi se hapat e mëtejmë do të varen nga serioziteti i procesit, respektimi i rendit kushtetues dhe ofrimi i zgjidhjeve konkrete në interes të vendit.

Komunikata e plotë: 
PDK konfirmon pjesëmarrjen në takim, pret plan konkret për formimin e institucioneve
Prishtinë, 9 korrik 2026 – Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, diskutoi certifikimin e rezultateve zgjedhore dhe shqyrtoi ftesën e dërguar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.
Partia Demokratike e Kosovës e trajton me seriozitet çdo kërkesë zyrtare që i drejtohet dhe konsideron se çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës meriton të dëgjohet dhe të vlerësohet me përgjegjësi, prandaj kryetari Bedri Hamza do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në takimin e nesërm, që të dëgjojë se çfarë zgjidhjeje konkrete ofron z. Kurti për tejkalimin e krizës institucionale.
PDK rithekson se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Për këtë arsye, pret që z. Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme.
Çdo zhvillim i mëtejmë do të varet nga serioziteti i këtij procesi, respektimi i rendit kushtetues dhe gatishmëria për të ofruar zgjidhje konkrete në interes të Republikës së Kosovës dhe jo nga kalkulimet politike apo përpjekjet për ta shpërndarë përgjegjësinë te opozita.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj politike dhe do të vazhdojë të mbrojë interesin qytetar dhe shtetëror, duke vepruar me përgjegjësi dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës./lajmi.net/